Raporti i pazgjidhur Kosovë-Serbi po i mban peng një mori çështjesh rajonale

Prishtinë | 16 Qer 2022 | 15:08 | Nga Ekonomia Online

Raporti Kosovë-Serbi ka mbetur një prej çështjeve madhore të pazgjidhura në rajonin tonë. Si i tillë, ky raport po i mban peng një mori çështjesh rajonale të cilat janë të domosdoshme e të dobishme për secilin prej nesh. Prej sigurisë së brishtë e deri te paqja e paqëndrueshme; prej stagnimit ekonomik e deri të imigrimi galopant; prej cenimit të lirive kolektive e individuale e deri të nëpërkëmbja e resurseve, mjedisit e të drejtave të punëtorëve dhe kushteve të punës.

Ky ishte konkludimi që rezultoi nga konferenca “Kosovë-Serbi: Një qasje ndryshe”, të cilën e ka organizuar sot në Prishtinë Instituti Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” nga Prishtina dhe Instituti për Filozofi dhe Studime Shoqërore nga Beogradi.

“Bashkëpunimi rajonal e integrimit socio-ekonomik janë mundësi pozitive për të gjitha këto çështje. E raporti Kosovë Serbi kushti i realizimit të këtij bashkëpunimi. Për këtë nevojitet një qasje ndryshe, sidomos në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një komunikatë për medie, të lëshuar pas takimit.

Kjo Konferencë u zhvillua me rastin e publikimit të përmbledhjes së eseve nga autorë të ndryshëm nga Kosova dhe Serbia. Libër ky që diskuton dhe propozon një konceptim dhe zhvillim të ndryshëm, progresiv të dialogut, si dhe pikëpamje paralele mbi çështjet urgjente sociale, ekonomike, ekologjike etj., të cilat, pasi që të trajtohen, nxjerrin në pah shumë çështje të ngjashme për shqiptarët dhe serbët.

Në këtë Konferencë ku ishin të pranishëm përfaqësues nga shoqëria civile dhe ambasadave të akredituara në Kosovë u diskutua sidomos për bashkëjetesën dhe konstruktimin e tjetrit, emigrimin dhe qytetarinë, ekonominë dhe mjedisin.

Të ngjashme