Raporti Vjetor i Performancës së ZKA-së për vitin 2021 dorëzohet në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, të premten i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2021. Ky raport përmban informata të rëndësishme rreth performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit në përmbushjen e obligimeve të saj kushtetuese e ligjore, gjatë këtij viti.

Puna e Institucionit të Auditorit të Përgjithshëm gjatë vitit 2021 është mbështetur në Planin Strategjik 2018-2021 duke u fokusuar në përmbushjen e misionit kushtetues e ligjor, zhvillimin e kapaciteteve profesionale si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira me palët e jashtme. Aktiviteti auditues është kryer sipas Planit Vjetor të Auditimit  për sezonin auditues 2020/21, ku janë publikuar 131 raporte të auditimit financiar dhe pajtueshmërisë si dhe performancës.

Auditorja e Përgjithshme, Spanca, në fjalën e saj ka theksuar se pavarësisht sfidave me pandeminë Covid 19, ZKA-ja ka arritur të përmbushë objektivat institucionale në afat ligjor duke audituar fusha me interes për Kuvendin dhe qytetarët.

“Gjatë vitit 2021, kemi kryer auditimin e Raportit Vjetor Financiar, përfshirë evidencat përkatëse të buxhetit të shtetit për vitin 2020, i cili është mbështetur nga auditimet financiare dhe të pajtueshmërisë të të gjitha organizatave buxhetore, dhe ndërmarrjeve publike. Gjithashtu, kemi kryer auditimet e performancës, prokurimit publik dhe të teknologjisë së informacionit, si dhe auditimet e projekteve të financuara nga fondet e donatorëve”, është shprehur znj. Spanca, duke shtuar se për herë të parë në vitin 2021 janë kryer auditimet e veçanta të pajtueshmërisë dhe po ashtu janë audituar informata të klasifikuara me ligj.

Këto auditime kanë rezultuar me një numër të konsiderueshëm të rekomandimeve për përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para. “Përmes rekomandimeve të auditimit ZKA-ja ka shtrirë më tej ndikimin e saj, ku është vërejtur një progres i lehtë në rritjen e shkallës së zbatimit të tyre”, ka theksuar znj. Spanca në fjalën e saj.

Për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka shpalosur se janë dërguar 52 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit.  

Po ashtu gjatë vitit 2021, ZKA-ja ka avancuar metodologjinë për auditime financiare dhe të pajtueshmërisë, digjitalizimin e punës audituese, duke shtuar dhe përsosur me mundësi të reja sistemin elektronik të auditimit.

Raporti përmban informacion të hollësishëm edhe për menaxhimin financiar dhe administrativ të ZKA-së, burimet njerëzore, zhvillimin profesional të stafit si dhe komunikimin dhe bashkëpunimin me publikun dhe palët e interesit.

Vlen të theksohet se në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, ZKA-ja ka marrë pjesë në aktivitete të organizatave ndërkombëtare si: INTOSAI, EUROSAI dhe atyre regjionale, ndërsa është përmbyllur me sukses zbatimi i projektit të binjakëzimit “Fuqizimi i mëtejmë i ndikimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës” me Institucionin Suprem të Auditimit të Polonisë, i financuar nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, ka vazhduar bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional, me theks në fushën e auditimit të performancës.  

Raportin Vjetor të Performancës së ZKA-së për vitin 2021 mund ta gjeni këtu.

Të ngjashme