Reciprociteti – taksa përplas Qeverinë dhe opozitën

Prishtinë | 07 Shk 2020 | 08:19 | Nga Ekonomia Online

Menjëherë pas ardhjes në pushtet LVV-ja dhe LDK-ja kanë paralajmëruar zëvendësim të taksës me reciprocitet ndaj Serbisë. Opozita e ka kundërshtuar fuqishëm këtë paralajmërim të Qeverisë, të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Përfaqësues të partive opozitare i kanë bërë thirrje shefit të ekzekutivit për moslargim të masës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve, që vijnë nga Serbia.

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë ka nxitur reagime të menjëhershme nga ana e partive opozitare, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Derisa ish-shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj, i cili njëherësh është edhe kryetar i AAK-së, ka bërë thirrje për moslargim të tarifës 100 për qind, kreu i PDK-së Kadri Veseli e ka cilësuar nxitim të tepruar, për t’i përmbushur kërkesat e Serbisë, hapin e Kurtit drejt reciprocitetit.

Rreth kësaj mase është deklaruar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se dy partitë e koalicionit qeverisës, LVV-ja dhe LDK-ja, janë dakorduar për vënien e reciprocitetit. Lidhur me këtë ka folur edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka thënë se çështja e reciprocitetit është mjaft komplekse dhe me pasoja shumëdimensionale, shkruan tutje “Zëri”.

Sidoqoftë, ai është shprehur optimist se Qeveria mund ta gjejë rrugën më të mirë, në konsultim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, për të vepruar rreth kësaj çështjeje. Qeveria e kaluar e Kosovës, e cila drejtohej nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe më 21 nëntor 2018.


Të ngjashme