Reparacionet e luftës duhet të përfshihen në padinë ndaj Serbisë, s’ka të dhëna për vlerën e dëmeve

Prishtinë | 04 Qer 2022 | 08:15 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Të dhëna të sakta se sa janë dëmet e shkaktuara nga shteti serb gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk ka, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse njohësit e çështjeve juridike thonë se Serbia i ka borxh shumë Kosovës, por që sipas tyre institucionet nuk kanë punuar drejtim sa i përket grumbullimit të fakteve e argumenteve për të kërkuar reparacione.

Profesori Mazllum Baraliu në një intervistë për Ekonomia Online thotë se ndonëse sipas disa kalkulimeve rreth 21 miliardë euro janë llogaritur dëmet që Serbia i ka shkaktuar në Kosovë, ato janë shumë më të mëdha.

Krej kjo ngase sipas tij, përpos vrasjeve e krimeve do të duhej të llogariteshin edhe dëmet materiale, ekonomike e pasuritë e ndryshme që kanë pasur familjet kosovare.

“Për sa i ka borxh, janë bërë disa para kalkulime më herët kur kanë pas filluar bisedat me Serbinë në Vjenë në mos gabohem por ato kalkulime kanë qenë sigurisht të pa sakta sepse diku është thënë me sa e di unë 21 miliard gjoja janë dëme të shkaktuara nga Serbia Kosovës përgjithësisht dëmet materiale pra. Mirëpo unë jam i sigurt që është shumë më tepër dhe është shumë më shumë. Do të duhej seriozisht qasur kësaj pune, asnjëherë nuk vonohen çështjet e luftës e as veprat në luftë që bëhen, pra veprat penale çfarë do qofshin ato deri në gjenocid po edhe reparacionet”.

Ai thotë se në mënyrë që të dihet saktë reparacionet e luftës duhet që të angazhohet ekspertë, duke që cështja e reparacioneve të luftës të përfshihet në padinë e paralajmëruar për gjenocid ndaj Serbisë.

Por ai thotë se për të kërkuar dëmshpërblime nga shteti i Serbisë, fillimisht duhet të faktohen e dokumentohen dëmet në mënyrë që të argumentohen ato që i kërkojmë.

“Duhet shkencërisht, faktikisht, me faktografi profesionale dhe shkencore duhet të vërtetohet, të dëshmohet dhe të argumentohet në mënyrë që pastaj edhe ta kërkojmë. Prandaj do të duhej me një seriozitet profesional dhe shkencor për të bërë të gjitha kalkulimet dhe me rast të përgatitjes së asaj që është paralajmëruar tashmë padia për gjenocid që Serbia ka bërë në Kosovë, do të duhej të inkorporohen edhe dëmet materiale të cilat më shumë se 1 200 fshatra në Kosovë janë rrafshuar për toke. Duhet llogaritur domosdoshmërisht dëmet ekonomike, pasuritë  ndryshme që kanë pasur familjet”.

Baraliu konsideron se  vetëm me presion, insistim e kushtëzim nga bashkësia ndërkombëtare Serbia do të mund të kryente këtë obligim karshi Kosovës.

“Në qoftë se Serbia do të donte ta respektonte të drejtën ndërkombëtare e ajo shumë vështirë, vetëm me presione të bashkësisë ndërkombëtare dhe me insistime e kushtëzime mund ta pranojë atë. Përndryshe, Serbia nga Gjermani ka marrë reparacione edhe 50 vite pas Luftës së Dytë Botërore. Do të duhej këtë obligim ta kryente edhe ndaj Kosovës, mirëpo ajo këto nuk e bënë, po do të duhej imponuar ose eventualisht në marrëveshjen përfundimtare që pritet të rezultojë nga dialogu Kosovë-Serbi do të duhej inkorporuar edhe kapitulli i reparacioneve domosdoshmërisht”.

Kryetari i organizatës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta për Ekonomia Online tha se institucionet e Kosovës janë vonuar sa i përket kalkulimit të dëmeve që i ka bërë Serbia.

Ai konsideron se nuk ka pasur vullnet politik që organizata që drejtohet nga ai, e që merret me përgatitjen e padive për kompensim, të shtrihet edhe në komunat e tjera.

Bejta thotë se qytetarët e dëmtuar vijnë nga të gjitha qytetet për hartimin e padive individuale drejtuar Qeverisë së Serbisë për dëmshpërbil.

“Sa i ka Serbia, Kosovës nuk e di po e di sipas pretendimeve të tyre sa i ka Kosova borxh Serbisë. Serbia pretendon se Kosova i ka borxh 222 miliardë dollarë, por ata kanë punuar në detaje, normal që edhe i kanë zmadhuar gjërat. Mjerisht ne nuk kemi punuar sa duhet, nuk kemi bërë punë intensive, nuk kemi bërë punë gjithëpërfshirëse me i mbledh të gjitha komunat e Kosovës”.

“Sinqerisht, institucionet e Kosovës janë vonuar në këtë drejtim. Ne me 30 shtator 2008 e kemi regjistruar subjektin të emërtuar ‘Ngritja e Zërit’. Duke mos pasur vullnet politik me u shtri në tjerat komuna, jemi me seli në Skenderaj. Ndaj, qytetarët e Kosovës të dëmtuar, gjatë luftës dhe para luftës në cilësinë e viktimave detyrohen të vijnë në Skenderaj, madje edhe disa herë duke pasur parasysh natyrën e punës që merremi me sistematizimin, grumbullimin, klasifikimin e administrimin e provave dhe hartimin e kërkesë padive individuale drejtuar Qeverisë së Serbisë për kompensim apo rimbursim dëmi”.

Bejta thotë se nuk ka përkrahje as nga Qeveria e as nga komunat sa i përket grumbullimit të fakte, duke e cilësuar krim e përgjegjësi penale zhdukjen e provave të luftës.

“Nuk ka përkrahje të mirëfilltë as përpara as tash as dislokim e as shtrirje. Tri herë i kemi të gjithë kryetarëve të komunave parashtresa me kërkesë që ta japim minimumin për shtrirje të shoqatës, po nuk ka ndodh. Së fundi para 20 dite ua kam dërguar madje parashtresën me fletë-kthesë nga të gjitha komunat e Kosovës, respektivisht kryetarit. Përpos që kanë të drejtë, po kanë obligim të gjitha Qeveritë, lokale edhe kjo kulminante qendrorja kanë obligim t’i sponsorizojnë të dhënat e shënimet në të kundërtën kjo është krim, është përgjegjësi penale nëse ne lejojmë me u zhduk provat e luftës”.

Bejta për EO tha se kanë dërguar 80 dosje në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të ligjshmërisë së vendimeve për refuzim të padive nga shakllët më të ulëta.

Krejt kjo ngase sipas tij, Kosova nuk ka të drejtë të padive në Gjykatën Evropiane të Strasburgut në Francë, pasiqë nuk është anëtare e Këshillit të Evropës.

“Ne nga viti 2008 punojmë, po neve nuk na shqyrtojnë fare, neve na i hedhin. Ne jemi i vetmi shtet në regjion që nuk kemi të drejtë me paditë në Gjykatën Evropiane të Strasburgut në Francë, me që nuk jemi pjesë e Këshillit të Evropës. I kemi 80 dosje që e kanë kaluar Gjykatën Kushtetuese, të cilat madje edhe i kemi digjitalizuar nga frika se nuk janë të sigurta. Mund edhe të asgjësohen”.

Të ngjashme