Rrezikohet përfaqësimi efektiv i komuniteteve joshumicë

Prishtinë | 20 Shk 2021 | 13:57 | Nga Ekonomia Online

Votat nga komunat e banuara me shumicë serbe, të cilat i kanë fituar dy subjektet politike boshnjake, Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni Vakat, do të jenë arsyeja që dy subjektet tjera boshnjake, Unioni Socialdemokrat (SDU) dhe Partia e Re Demokratike (NDS), do të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kështu kanë deklaruar Duda Bale nga Unioni Socialdemokrat dhe Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike. Për më shumë, sipas tyre, në rast se ankesa në PZAP nuk do të marrin përgjigje, sipas tyre, të merituar, ankesa do të bëhen më pas në Gjykatën Supreme, por edhe në Gjykatën Kushtetuese.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, thotë se të dyja partitë nga komuniteti boshnjak, Unioni Socialdemokrat dhe Partia e Re Demokratike, kanë bazë të fortë kushtetuese për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese, por fillimisht, sipas tij, duhet t’i shterrin mjetet e rregullta juridike në PZAP dhe në Gjykatën Supreme.

“Në këtë rast, vota është e qartë që nuk është votë e atyre që deklarohen si boshnjakë, përkatësisht rom dhe komunitetet tjera joserbe dhe joshqiptare dhe është tërësisht votë jokushtetuese dhe që është kundër demokracisë konsociacionale që ekziston në Kosovë. Demokracia konsociacionale do të thotë që secili komunitet ta ketë përfaqësimin e vet. Në këtë rast, në mënyrë efektive, partitë që deklarohen si boshnjake, rome dhe të tjera, që deri më dje i kanë përfaqësuar komunitetet, tash përfaqësohen në mënyrë efektive nga komuniteti serb”, thekson Hasani.

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të shihet se pjesa më e madhe prej 6.379 votave që ka marrë “Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq”, është siguruar në komunat e banuara me shumicë serbe. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, më shumë se 5.300 vota për këtë subjekt janë evidentuar në komunat e banuara me shumicë serbe. Ky subjekt politik besohet se ka fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Po sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, Koalicioni Vakat ka marrë 5.672 vota, prej të cilave të paktën mbi 700 vota janë evidentuar se kanë ardhur nga komunat e banuara me shumicë serbe. Gjithashtu, besohet se edhe ky subjekt politik ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia e Re Demokratike ka marrë 2.763 vota, ndërkaq, Unioni Socialdemokrat ka marrë 2.434 vota. Subjekti i pestë politik boshnjak Iniciativa “Nasha”, ka marrë 1.295 vota. (Tekstin e plotë në REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme