Sa mund të jetë e barabartë Kosova në “Open Balkan”, dhe sa e sinqertë ishte ftesa e Vuçiqit?

Prishtinë | 07 Nën 2021 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Kosova vazhdon të jetë kundër samitit “Open Balkan”, duke mos qenë pjesëmarrës në asnjë takim me liderët e rajonit, tash e një kohë të gjatë.

Por, në takimin e së enjtes në Beograd, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, tha se nisma “Open Balkan” është e hapur për të gjithë dhe dyert janë të hapura edhe për Kosovën.
Por, njohësit e çështjeve politike në Kosovë, vlerësojnë se deklaratat e presidentit Vuçiq për Kosovën nuk janë aspak të sinqerta, pasi që Vuçiq po e përdorë këtë nisëm vetëm për t’u dukur si një politikan që e dëshiron paqen e bashkëpunimin fqinjësor.

Analistja politike, Aferdita Maliqi, thotë se Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale, vetëm si palë e barabartë dhe shtet sovran, që njihet nga të gjithë.

“Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm, por ne e dimë se kemi problem politike me Serbinë, sepse Serbia ende se njeh Kosovën si shtet të barabartë. Ne kemi parë reagimet e Qeverisë serbe, për targat, që ka qenë një marrëveshje që është dashur të respektohet, por u desh ndërhyrja e Bashkimit Evropian. Andaj, është e vështirë të jesh në një projekt kur nuk të trajtojnë si të barabartë. Andaj, unë mendoj se Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale, por vetëm si palë e barabartë, shtet sovran, që njihet nga të gjithë”, thotë Maliqi.

Analisti politik Ridvan Berisha tha për arbresh.info se, këto deklarata janë tatktizim të Vuçiqit, për ta prezantuar Serbinë e sotme si një shtet që po punon për paqe.

“Kjo nismë është e dobishme në rrethanat aktuale për një argument të madh, të qëndrueshëm. Funksionalizimi i saj do të pakësojë, për të mos thënë do t’i le në margjina diskurset nacionaliste në Ballkan. Natyrisht se Vuçiq po e përdorë këtë nismë për t’u dukur si një politikan që e dëshiron paqen, bashkëpunimin fqinjësor. E kjo është tatktizim i tij, por që po jep efekte për ta prezantuar Serbinë e sotme si një shtet që po punon për paqe. Ne e dimë se është krejt e kundërta”.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të frikësohet duhet të jetë e pranishme, sepse Kosova është shtet dhe në mënyrë diplomatike e me fakte t’ia tregojmë fytyrën e vërtetë që e ka Serbia para bashkësisë ndërkombëtare.

“Pse Kosova ka nevojë të frikësohet, pse të mos jetë pjesë e këtyre tavolinave në mënyrë që të mos ta lë Serbinë në avantazh në ketë proces. Më vjen keq por diskursi ynë shtetëror është defanziv fatkeqësisht. Kosova duhet të jetë e pranishme në çdo tavolinë ku bisedohet për paqen dhe bashkëpunimin rajonal dhe atë me krenari ta përfaqësojë dinjitetin shtetëror. Elita e tashme më vjen keq por ka mungesë guximi dhe vizioni strategjik. Si shoqëri jemi bërë pikë e pesë midis vete dhe atë për një grusht pushteti. Vendimet e guximshme shtetërore nuk janë domosdoshmërish popullsite sidomos kur kemi të bëjmë me Serbinë. Ne fund pasi të përfundon furtuna elektorale ndoshta do të kemi si shtet reflektim me të pjekur e me vizionar. “Open Balkan” nuk është nisme as e Vuçiqit e as e Rames, kushdo që e sheh të tillë, edhe mund ta shoh, por është gabim sipas meje. Udhëheqësit tanë nuk duhet të struken, të frikësohen kudo që shkojnë, duhet të jenë krenare pse Kosova është shtet dhe në mënyrë diplomatike e me fakte t’ia tregojmë fytyrën e vërtetë që e ka Serbia para asaj që e quajmë bashkësi ndërkombëtare”, thotë Berisha.

Se asnjë deklaratë e presidentit të Serbisë në raport me Kosovën nuk duhet të llogaritet i sinqertë, e thotë edhe analisti, Bekim Kabashi.

Sipas tij Kosova duhet të përfshihet në këtë nismë vetëm nëse Serbia e trajton të barabartë sikurse të gjitha shtetet pjesëmarrëse.

“Pothuajse asnjë komunikim publik i presidentit të Serbisë në raport me Kosovën nuk duhet të llogaritet i sinqertë, të paktën deri atëherë kur Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje finale mes tyre. Kosova nëse do të kishte interes të përfshihej në ketë nismë, sigurisht se do të duhej të pranonte, vetëm nëse ajo e trajton të barabartë sikurse të gjitha shtetet pjesëmarrëse. Por, në ketë fazë nuk është interes i Kosovës përfshirja në ketë nismë, sidomos në aspektin politik, e as në atë ekonomik”, thotë Kabashi.

Kujtojmë se “Open Balkan” është një nismë rajonale që ka për qëllim heqjen e çdo barriere në mënyrë që të mundësohet lëvizje e lirë e njerëzve dhe mallrave.

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, të enjten në Beograd thanë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por kjo nuk duhet të jetë pengesë për përfshirjen e Kosovës në nismën Ballkani i Hapur.

Të ngjashme