Shqipe Mjekiqi flet si nënkryetare e LDK-së: Është koha ta rikthejmë partinë në piedestal

Prishtinë | 21 Mar 2021 | 11:52 | Nga Ekonomia Online

Një ditë pasi u zgjodh nënkryetare e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se këtë pozitë në parti nuk e ka marrë në kohën më të mirë. Ajo ka përmendur rezultatin e dobët të LDK-së në zgjedhje, teksa ka shtuar se është koha që partia të kthehet në piedestal.

“Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës”, shkruan Mjekiqi ndër të tjera.

Postimi i saj i plotë:

Dje, me propozimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku, dhe me mbështetjen e Këshillit të Përgjithshëm jam zgjedhur Nënkryetare e partisë.

Koha në të cilën unë po i bashkohem LDK-së nuk është më e mira për të. Në zgjedhjet e fundit LDK morri përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj para 30 vjetësh. E kuptoj që shumë prej jush ndjeheni të zemëruar me këtë rezultat.

Por, është koha më e mirë për mua dhe shumë të tjerë të kontribuojmë në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin. Spektri politik në Kosovë është i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zhvillimin e së cilës punuan me shumë mund e sacrificë gjenerata të shumta nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova.

Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës.

Ju faleminderit për mbështetjen.

Të ngjashme