Shteti kërkon kusht nga familjet e dëshmorëve për t’u liruar nga tatimi në pronë

Prishtinë | 27 Sht 2022 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

“Lirimi nga tatimi në pronë është e drejtë që e realizojnë familjet e dëshmorëve, familjet e të zhdukurve të UÇK-së, invalidët e UÇK-së, invalidët civil të luftës, familjet e viktimave civile të luftës që janë në gjendje të rëndë ekonomike“. Kjo parashihet në nenin 6 të Ligjit Nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave Civile dhe familjeve të tyre.

Nga ana e familjarëve të dëshmorit, kërkohet që të dëshmohet gjendja e rëndë ekonomike. Nëse dëshmohet, atëherë zbatohet lirimi nga tatimi në pronë. Kështu thonë për Indeksonline nga Departamenti i Tatimit në Pronë i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Por, kushtet për përcaktimin e gjendjes së rëndë ekonomike nuk janë të përcaktuara shprehimisht, andaj ka vështirësi në zbatimin e kësaj dispozite ligjore, njoftojnë nga Departamenti i Tatimit në Pronë.

“Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunin me komunat e Republikës së Kosovës, zbatojnë Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, përshtatshmërisht me nenin 6 të Ligjit Nr. 05/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, i cili parasheh lirim nga tatimi në pronë për familjarët e dëshmorëve, të cilët janë në kushte të rënda ekonomike.

Kërkohet që gjendja e rëndë të dëshmohet nga ana e familjarëve të dëshmorit, dhe nëse dëshmohet atëherë zbatohet lirimi nga tatimi në pronë.

Megjithatë, kushtet për përcaktimin e gjendjes së rëndë ekonomike nuk janë të përcaktuara shprehimisht, andaj ka vështirësi në zbatimin e kësaj dispozite ligjore“, thuhet në përgjigjen e tyre për Indeksonline.

Dëshmimin e gjendjes së rëndë ekonomike po e konsideron “hajgare” kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari.

“S’ka gjendje e rëndë, familjet e dëshmorëve, ata janë duke bërë hajgare, kjo Qeveri. Ajo është familje e dëshmorit dhe në përputhje me benefitet që i kanë, me kontributin që e kanë dhënë, me ligj, definohet qartë që lirohen në pronën e paluajtshme. Qeveria duhet të respektojë ligjin“, thotë ai për Indeksonline.

Tutje ai thotë se përveç librezës që është familje e dëshmorit, nuk kanë çfarë tjetër të kërkojnë që të zbatohet lirimi nga tatimi në pronë.

“Nuk kanë çfarë të kërkojnë. E ka vendimin që është familje e dëshmorit dhe dëshmitë tjera, psh librezën që është familje e dëshmorit, vërtetimin që munden me tërheq te shoqata nëpër komuna që i kemi, qëllimi për çka iu duhet. Këto janë dokumentet që duhet. Çdo ministri obligohet që t’i nxjerrë aktet nënligjore dhe t’i zbatojë ato. Këta nuk e di ku ja kanë qit terezin por këto janë shkelje ligjore dhe atyre që nuk iu njihet kjo e drejtë munden që përmes Gjykatës ta realizojnë të drejtën e tyre“, theksoi Jashari.

Indeksonline në korrik të këtij viti kishte raportuar se si Komuna e Dragashit u kishte dërguar “faturën e tatimit në pronë”, Elbasan Bahtijarit, djalit të dëshmorit të kombit, Ilmi Bahtijari nga fshati Blaq.

Në letrën e dërguar komuna i kishte “rikujtuar për detyrimet e papaguara të tatimit në pronë”. Madje u ka ofruar edhe “mundësinë e lidhjes me kontratë për pagesë me këste”.

Në rast se nuk përmbushin detyrimet, komuna kishte njoftuar se do t’ua pezullojnë shërbimet komunale si dhe propozimin për mbledhjen e detyruar të detyrimeve të papaguara përmes përmbaruesve.

Të ngjashme