Shumica absolute e KP-së të LDK-së voton pro koalicionit me AAK dhe Nisma

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Burime nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë për Gazetën Insajderi se shumica absolute e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK kanë votuar pro koalicionit me AAK dhe NISMA.

Janë 95 për qind të anëtarëve të KP-së të LDK-së, që kanë votuar pro këtij koalicioni.

Votimi ka ndodhur në mënyrë elektronike me kërkesë të kryetarit të LDK-së Isa Mustafa.

Kjo pasi mbrëmë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm që të deklarohen nëse duan të bëjnë koalicion me AAK-në dhe Nismën apo jo, pas rrëzimit të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

Gazeta Insajderi, ka siguruar mbrëmë njoftimin e dërguar nga Isa Mustafa për anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, me të cilën u kërkoi që të deklarohen.

Aty kërkohej që deri më 14 prill të përgjigjen me “PO” ose “JO” lidhur me pyetjen nëse janë të pajtimit për një koalicion me AAK-në dhe NISMA-n.

Ky koalicion pritet të ndodhë nëse LDK të marr mandatin si partia e dytë për formimin e Qeverisë.

“A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE dhe komunitetet. Përgjigja:​​PO ​ose ​JO. Ju lutem që të përgjigjeni përmes e-mailit në adresë të LDK-së (nga e cila adresë e keni marrë këtë email) deri më 14 prill 2020, në orën 16:00”, thuhet në pyetjen e kryetari të LDK-së Isa Mustafa, drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Ndonëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate nuk kanë ende një qëndrim zyrtar për koalicionin me LDK-në, pasi kjo e fundit po pret shterjen e rrugëve kushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë si parti e parë.

E gjithë kjo vjen pasi Lidhja Demokratike e Kosovës, inicioi mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, me të cilën kishin lidhur koalicion pas zgjedhor dhe kishin formuar Qeverinë.

Me 82 vota për u rrëzua Qeveria Kurti, që erdhi si pasojë e mospajtimeve ndërmjet dy partive qeverisëse, LDK dhe VV. Ajo që shty LDK-në që të inicioi këtë mocioni ishte shkarkimi i ish-ministrit të Brendshëm nga LDK, Agim Veliut nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Të ngjashme