Si parashihet të funksionojë opozita në raport me pozitën, flasin nga PDK dhe AAK

Prishtinë | 06 Nën 2019 | 22:46 | Nga Ekonomia Online

Pas shumë vitesh, Partia Demokratike e Kosovës do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës si opozitë.

PDK arriti që në zgjedhjet e gjashtë tetorit të renditet si partia e tretë,  kurse në legjislaturën e re pritet t’i ketë 26 deputetë.

Sipas njërit prej kandidatëve që arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të qenë pjesë e Parlamenti të Kosovës, Elmi Reçica, lista e kandidatëve të PDK-së në këto zgjedhje ishte lista më e denjë, me përfaqësues dhe reformuese e skenës politike.

“Në kuadër të asaj liste, 68 kandidatë për deputetë garonin për herë të parë, mbi 40 kandidatë ishin të moshës së re, kjo listë nuk përmbante asnjë zyrtar me aktakuzë për korrupsion. Bazuar në të dhënat e rezultateve preliminare të KQZ-së, Partia Demokratike e Kosovës në legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës, do të përfaqësohet me deputetë që do të përbëjnë një grup parlamentar të shkëlqyer dhe tejet përfaqësues e të përgatitur dhe që kanë vizion për të ardhmen, që do të ushtrojnë funksionin e tyre në interesin shtetëror më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit”, tha Reçica.

Por i njëjti nuk la pa përmendur edhe figurat e PDK-së që mbetën jashtë, duke mos siguruar votat e nevojshme për t’u bërë deputet.

“Edhe pse jozyrtarisht, sipas të dhënave preliminare të deritanishme, rezulton se disa personalitete meritore të PDK-së nuk kanë arritur të fitojnë mandatin e deputetit, mirëpo, të cilët do të vazhdojnë të punojnë e të kontribuojnë në skenën politike”, tha ai.

Sipas tij PDK do të jetë parti liderë e opozitës dhe se nuk do të lejojnë që të dëmtohet apo cenohen qytetarët.

I pyetur nëse do të jenë opozitë bashkëpunuese me Qeverinë e Re të Kosovës, ai deklaroi e do të komunikojnë dhe do të bashkëpunojnë në çështjet që ndërlidhen me interesat kombëtare e shtetërorë, për të ardhmen e vendit.

“Përgjigje Partia Demokratike e Kosovës, tashmë është në një rol të ri, si parti lidere e opozitës, gjithsesi se do të jemi në ballë të sfidave dhe në shërbim të interesave shtetërore e kombëtare të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në asnjë rrethanë dhe asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që dëmtohet dhe të cenohet interesi kombëtar e shtetëror i Kosovës. Do të jemi opozitë e njëmendë dhe tejet e fortë, do të jemi opozitë reaguese dhe vepruese për çdo gjë që nuk përkon me shtetin e së drejtës, interesin e Kosovës dhe mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve tanë, do të jemi opozitë e vërtetë, racionale e objektive në shërbim të Kosovës dhe në mbrojtje të orientimeve strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet perëndimore të BE-së. Natyrisht, se do të komunikojmë dhe do të bashkëpunojmë në çështjet që ndërlidhen me interesat kombëtare e shtetërore, për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, theksoi ai.

Pjesë e opozitës në këtë legjislaturë do të jetë edhe partia e Ramush Haradinajt. Për t’u bërë deputete e Kuvendit të Kosovës arriti të mbledhë votat e nevojshme edhe Teuta Haxhiu, e cila ishte pjesë e Parlamentit edhe më parë.

E kontaktuar nga Indeksonline, Haxhiu deklaroi se do të jenë opozitë e fortë që në fillim të punimeve të Kuvendit dhe se vendimet do të jenë konstruktive.

“Natyrisht që do të jemi opozitë e fortë, çdo vendim që është në interes të vendit,do të jemi konstruktiv, në të kundërtën opozitarizëm që do të jetë përballje me çdo gabim që mund të bëhet nga Qeveria në ardhje”, tha Haxhiu.

Pavarësisht se sot u bën një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve, KQZ ende nuk ka publikuar rezultatet përfundimtare.

Por tashmë renditja e partive dihet, edhe pse me ndryshime të mundshme tek numri  votave.

Të ngjashme