Sipas AAK-së, Vetëvendosje donte t’i zaptojë institucionet e Kosovës

Prishtinë | 14 Maj 2020 | 21:01 | Nga Ekonomia Online

Ardian Gjini, nënkryetar i AAK-së, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj, Albin Kurti, kanë dashur t’i zaptojnë institucionet e Kosovës kur nisi të qeveriste me vendin.

Duke arsyetuar rrëzimin e Qeverisë Kurti, Gjini në Deskun e KOHËS ka thënë se “kemi parë nguti për të zaptuar institucionet”.

“AAK-ja ka besuar se zoti Kurti po qeveris jashtëzakonisht keq e duke vepruar në dëm të Kosovës, qoftë edhe për shkak të sjelljeve të tij, kapriçove që ka, bindjet për akterët tjerë politikë e për trasimin e atyre bindjeve te elektorati i vet, që janë bindje që shkaktojnë urrejtje e jo garë dhe krijimi i bindjeve se në Kosovë ekziston një parti politike e të tjerat duhet shuar. Është populizëm i skajshëm. Mund të flas gjatë për këtë punë”, ka thënë Gjini teksa ka shtuar se në “Qeverinë Kurti ka pas shumë mashtrim e falsitet”.

“Kemi parë nguti për të zaptuar institucionet, sepse për t’i kapë kam thënë më 2009 i pari në Kuvend e tash e kanë mësuar të gjithë. Është shkel Kushtetuta për shkak të insistimit për të zaptuar institucionet, ka pas frikë se me gjendje të jashtëzakonshme pushojnë disa aktivitete e nuk do të mund të merren disa veprime që janë marrë më vonë e që janë në kundërshtim me ligjin, parimet e premtimet e tyre. AAK-ja s’ka pas fare dilemë që Qeveria Kurti do të duhej të shkarkohej”, ka thënë tutje Gjini.

Nënkryetari i AAK-së ka thënë se kjo parti nuk ka biseduar me LDK-në për koalicionin e ri para se të rrëzohej ai VV-LDK. Sipas tij, ka pasur shumë pak zëra kundërshtues brenda AAK-së për një marrëveshje me LDK-në.

“Zyrtarisht s’ka pas negociata para se të ndodhë rënia e qeverisë, pastaj po. Jozyrtarisht kanë mundur të bisedojnë, por s’ka pas biseda zyrtare. S’ka pas nevojë Kurti ta sjellë vendin në krizë, por kur e ka sjellë, s’ka pas logjikë AAK-ja të përkrahë qeveri të pakicës për shkak të problemeve që do të ishin, por ra me më shumë se 2/3 e votave. Të gjitha partitë votuan pro rrëzimit, pos VV-së. Në çfarëdo rrethane do ta votonim rrëzimin, për të mos thënë që në shumë aspekte e kemi ditur se është e dëmshme kjo qeveri. Kanë mundur ta shtyjnë rrëzimin, por nëse kuptohen partitë në sensin normal, janë grupe njerëzish me ideologji të caktuar të përbashkët e ato ndihen të fyera kur dikush i cenon në atë mënyrë. Kur grupet ndihen të fyera marrin masat që besojnë se të paktën nuk lejojnë të poshtërohen. Kjo s’ka të bëjë me një numër njerëzisht që qeverisin, por ka pas grup me mijëra njerëz që janë fyer. Ne jemi në politikë për shkak se kemi elektorat. Mund të ndodhë që një pjesë është irrituar. Mund të ketë edhe të tjerë, pos elektoratit të VV-së, por mund të them se ne kemi ndjesi, politikanët kanë ndjesi se çka mendojnë njerëzit që na votojnë. Votuesi tradicional i AAK-së është në rregull me këtë vendim të Aleancës. Vendimi u mor në Këshill Drejtues me votë unanime, shumë pak vota kundër. Edhe kjo ishte ndjesi”, ka deklaruar Gjini.

Të ngjashme