Tahiri: Keqpërdorimi i ministrave, tregon fytyrën e vërtetë të Qeverisë Kurti

Prishtinë | 02 Qer 2022 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka reaguar lidhur me raportimet e fundit për keqpërdorime në kuadër të ministrive në qeverinë Kurti II.

Tahiri tha se është e pabesueshme se me çfarë guximi kanë filluar të abuzojnë me paranë publike ministrat e Qeverisë Kurti, duke mos u tunduar të dinë për ligjin, lërë më t’iu nënshtrohen ligjeve kur është fjala për shpërndarjen e parave të taksapaguesve të Kosovës.

“Dy ministra protagonistë të një afere të tillë, Ministrja Gërvalla Schwarz dhe Ministri Fikrim Damka, i keqpërdorën 1.1 milion euro, duke i ndarë këto para jashtëligjshëm ndaj një OJQ-je.”, tha ai.

Sipas Tahirit, kjo afër përveç që shpërfaqë paaftësinë institucionale të kësaj qeverie, shpërfaqë edhe vetëbesimin e verbër se këta ministra janë mbi ligjin dhe se paranë publike e konsiderojnë si mjet për të mbuluar deficitet e tyre të gjithanshme, pa ndjerë kurrfarë përgjegjësie për to, e për mënyrën se si shpenzohen ato.

“Keqpërdorimi dhe abuzimi i jashtëligjshëm i këtyre dy ministrave, ngjashëm si edhe afera të tjera korruptive që i kemi ngritur më parë e që po dalin në shesh për çdo ditë, tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe papërgjegjësinë e saj karshi ligjit e qytetarëve.”, shtoi ai.

PDK po e akuzon ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damkën dhe kryediplomaten Donika Gërvallën se kanë keqpërdorur 1.1 milionë euro të buxhetit të shtetit. Sipas PDK-së, Damka dhe Gërvalla në gusht të vitit të kaluar kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Caritas-in zviceran kundërligjshëm. Avokati që doli në konferencë me Musliu -Shoshin tha se janë shkelur katër ligje. E Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar në Facebook lidhur me këtë çështje duke thënë se s’ka keqpërdorur as një cent.

Të ngjashme