Tahiri: Në fillim të majit do ta kemi Qeverinë e re LDK-AAK-Nisma- AKR dhe minoritetet

Prishtinë | 17 Pri 2020 | 16:46 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohësi i zhvillimeve politike, Ramush Tahiri thotë se në javën e parë të muajit Kosova do ta ketë Qeverinë e re e cila do të votohet në Kuvendin e Kosovës me 66 vota.

Tahiri në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se më nuk ka kuptim të vazhdohet me këtë qeveri të shkarkuar,  e cila nuk ka legjitimitet parlamentar dhe ka funksione të kufizuara.  

Tahiri thotë se mandati duhet t’i kalojë LDK-së sepse është partia e dytë fituese dhe e ka mundësinë që së bashku me AAK-në, Nismën, AKR-në, Listën Serbe dhe minoritetet të krijojë qeverinë e konsoliduar që do t’i kishte 66 vota ditën që votohet në kuvend.

Sipas Tahirit, shumica e partive politike janë deklaruar se nuk dëshirojnë zgjedhje të reja.

Mes tjerash, Tahiri tha se qeveria e re do ta vazhdojë mandatin deri në vitin e ardhshëm të muajit prill kur edhe mbahen zgjedhjet parlamentare.

“Në javën e parë të muajit maj do të kemi qeveri të re të votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse nuk  ka kuptim të vazhdohet me këtë qeveri të shkarkuar dhe e cila nuk ka legjitimitet parlamentar dhe ka funksione të kufizuara, e cila nuk mund të rrijë deri në zgjedhjet e ardhshme sepse zgjedhjet i përcakton parlamenti dhe shumica e partive politike janë deklaruar se nuk dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje por dëshirojnë qeveri të re. Me këtë rast nëse mbetet jashtë qeverisë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, koalicioni mund të bëhet ndërmjet LDK-së, AAK-së, Nismë-s, AKR-së, Lista Serbe dhe Minoriteteve, ku gjithsej janë 66 vota të mjaftueshme. Kjo qeveri do të zgjasë përderisa i ka votat në kuvend dhe gjithashtu kjo qeveri duhet të vazhdojë mandatin e plotë deri në prill të vitit të ardhshëm  kur mbahen zgjedhjet parlamentare. Kosova ka nevojë për qeveri që e qojnë deri në fund mandatin dhe një qeveri e cila i ka të gjitha shanset  për t’i ndihmuar Kosovës dhe një qeveri e cila ka jetëgjatësi”,  shtoi Tahiri për EO.

Tahiri theksoi se Lëvizja Vetëvendosje me ditën e sotme i ka kaluar 15 ditë dhe nuk e ka respektuar afatin kushtetues për t’i kthyer përgjigje, kështu që nga e  hëna mund të i’a japë mandatin një partie tjetër politike.

Ai ka vlerësuar se Lëvizja  Vetëvendosje mund të kërkojë zgjedhje të reja, mirëpo zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen në dy raste nëse i shpallë presidenti, mbas rrëzimit të qeverisë dhe nëse parlamenti shpërndahet.

Tahiri ka thënë se Vetëvendosje e ka shfrytëzuar mandatin e saj kushtetues si parti e parë dhe e ka krijuar qeverinë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe me minoritetet.

“Presidenti i Republikës së  Kosovës është figurë unifikuese dhe e ka për obligim të respektoj vullnetin e shumicës parlamentare dhe të gjitha partitë politike të cilat me votëbesim e kanë rrëzuar qeverinë janë dy të tretat e votave dhe presidenti pasi Vetëvendosje me ditën e sotme i ka kaluar 15 ditë dhe nuk e ka respektuar afatin kushtetues për ti kthyer përgjigje prej të hënës mund të ia japë mandatin një partie tjetër politike. Unë besoj që kjo do të jetë LDK-ja sepse është partia e dytë fituese dhe është një parti e cila ka mundësinë që së bashku me AAK-në, Nismë-n dhe AKR-në me Listën Serbe dhe Minoritetet të krijojë qeverinë e konsoliduar që do ti kishte 66 vota në Kuvendin e Kosovës ditën që votohet. Lëvizja Vetëvendosje është në qeveri dhe po i kryen punët qeveritare ani që partneri i koalicionit pjesërisht është sepse janë shkarkuar një zëvendësministër dhe kryeministër, tani vetëvendosje është e koncentruar vetëm në punët e qeverisë”.

Të ngjashme