Të martën seancë e jashtëzakonshme për korrigjimin e kufijve

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 08:35 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesia e Kuvendi të Kosovës ka marrë vendim që të martën të mbahet seanca e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Kuvendi, Kadri Veseli pas mbledhjes tha se seanca do të fillojë në orën 10. Ai nuk ka dashur të komentojë më shumë për këtë temë duke shtuar se nesër do t’i paraqesin qëndrimet e tyre në seancë.

“Do ta kemi seancën e jashtëzakonshme nesër. Sa i përket komenteve politike do t’i themi nesër në seancë”.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia u njoftua po ashtu edhe me vendimin e deputetëve Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila për shkëputje nga GP i LDK-së dhe veprim si deputetë pa grup parlamentar. ​

Partitë opozitare LDK, Vetëvendosje dhe PSD kanë dorëzuar javën e kaluar kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme më 4 shtator.

Në këtë seancë pritet të miratohet rezoluta, e cila ia ndalon presidentit Thaçi të bisedojë me Serbinë për territorin e vendit.

Tri partitë opozitare, kanë iniciuar mbajtjen e kësaj seance pas deklaratave të presidentit për korrigjim të kufijve.

Rezoluta, e cila pritet të prezantohet në këtë seancë, ka vetëm një pikë: “Që askush nuk ka të drejtë ta negociojë dhe cenojë territorin e Kosovës”.

Presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq do të takohen më 7 shtator në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel.

Të ngjashme