Tërhiqet nga deklaratat e tij njeriu që akuzonte Thaçin për arrestim në luftë

Prishtinë | 04 Maj 2021 | 21:52 | Nga Ekonomia Online

Cen Desku thotë se nuk është rrëmbyer nga Hashim Thaçi në muajin tetor të vitit 1998.

Ish-veprimtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Malisheva, Cen Desku, i cili në një dëshmi dhënë UNMIK-ut dhe misionit verifikues të OSBE-së kishte akuzuar Hashim Thaçin për arrestimin e tij gjatë luftës, ka thënë sot se ish-drejtuesi politik i UÇK-së nuk ka pasur gisht në këtë ngjarje.

Ish-kryetari i Degës së LDK-së në Malishevë, ka thënë se ishin gjashtë persona që e kishin arrestuar atë në tetorin e vitit 1998 dhe e kishin mbajtur për një muaj, në mënyrë të paligjshme, në fshatin e Sedllar të Lipjanit.

“Kush na ka ndalu… e dimë, janë të dhënat në media, emrat e atyre njerëzve. Kanë qenë gjashtë persona, dy nuk i kam njoftë, 4 tjerë po. Asnjëri prej tyre nuk më ka arrestuar. Jo as Hashim Thaci. Jam mbajtur një muaj në Sedllar. UNMIK-u kishte shtrembëruar deklaratat e mia rreth arrestimit në luftë”, thotë ai.

Në vitin 2017, Cen Desku ishte takuar tri herë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Një takim ishte zhvilluar me ndërmjetësimin e Isni Kilajt, ish-zëvendësministër i Financave nga radhët e PDK-së. Desku, e kishte konfirmuar takimin në të cilin kishte thënë se kanë sqaruar disa “keqkuptime” të luftës.

Gazeta Insajderi kishte publikuar hulumtimin “Mbyllja e dyshimtë e hetimeve për krime lufte kundër Hashim Thaçit”, i cili dëshmon për rrëfimin e dhënë nga Cen Desku pranë prokurorëve të UNMIK-ut.

Desku dhe Kastrati kishin akuzuar Thaçin se më 30 tetor 1998 ishin mbajtur të burgosur në mënyrë të paligjshme një muaj në fshatin Sedllar të Lipjanit.

Për këtë rast, EULEX-i kishte nisur një hetim për krime lufte kundër presidentit Thaçi, mirëpo ishte mbyllur nga prokurori Reshat Millaku, me arsyetimin se viktimat, Cen Desku dhe Jakup Kastrati, kanë tërhequr dëshmitë e tyre të dhëna në UNMIK.

Të ngjashme