Presidenti Hashim Thaçi, gjatë kohës sa ishte kryeministër i kishte pastruar rrobat e tij duke e paguar këtë shërbim me para të buxhetit të shtetit.
Gjatë qëndrimit në Turqi ai i kishte pastruar rrobat e tij jo njëherë, por dy herë.
Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, shihet se Hashim Thaçi kishte pastruar dhe tharë rrobat e tij dy herë radhazi gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare te miku i tij, Erdogan, në Turqi.
Në mars të vitit 2011, Thaçi po qëndronte së bashku me ekipin e tij për vizitë zyrtare në Turqi ku kishte vendosur që ti dërgonte rrobat e tij për t’u pastruar.
Ky vendim i Thaçit i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 76 euro.
Po ashtu ekziston edhe një faturë tjetër, e vetëm një ditë më vonë kur Thaçi kishte vendosur që të paguaj përsëri për larjen e rrobave. Pastrimi tjetër i kishte kushtuar Thaçit 64 euro, të cilat ishin paguar gjithashtu nga buxheti shtetit.
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.