Thaçi këshilltarëve të Merkelit dhe Macronit: S’pranojmë asnjë kusht tjetër për vizat, taksa s’hiqet

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 12:47 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti, Hashim Thaçi pas takimin me delegacionin e këshilltarëve diplomatikë të presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe të kancelares së Gjermanisë Angela Merkel, tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë pa kushte dhe se taksa duhet të mbeten në fuqi, raporton Ekonomia Online.

Madje sipas tij, institucionet e Kosovës nuk do të pranojnë kushte shtesë për liberalizimin e vizave, sidomos nëse kushtëzohet me heqjen e taksës.

“Sot kemi pritur një delegacion të larët nga Franca dhe Gjermania në kuadër të përgatitjeve për samitin e Parisit që do të mbahet me 1 korrik. Mund të them që ishte një takim inkurajues i kancelares Merkel dhe presidentit Macron që të këtë përgatitje që i hap rrugë vazhdimësisë së dialogut mundësisë për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi”.

“Theksuam shumë qartë se tarifa duhet  të mbetet në fuqi, është një vendim legjitim në anën tjetër duhet të respektohet të gjitha marrëveshjet që janë arritur në vitin 2013 nga të gjitha palët. Shpresoj që do të ketë një angazhim serioz edhe për javët e ardhshme që kanë mbetur në mënyrë që të jetë një koordinim i plotë. Nga fryma e diskutimeve që zhvilluam sot shoh një frymë të një koordinimi evropian, por edhe me SHBA si kusht i domosdoshëm për këtë proces”.

“Dialogu duhet të jetë i pakushtëzuar, ky takim do të ndodh, pavarësisht disponimit të Vuçiqit, tarifa nuk do të hiqet është një vendim legjitim i institucioneve të Kosovës, megjithëse pushtet në Kosovë janë të ndara”.

Kreu i shtetit në konferencën për medie, tha se nuk ka pranuar kërkesa specifike nga të dy delagacionit, por përsëriti se atyre u është bërë e qartë se Kosova në asnjë rrethana nuk do të pranojë kritere të reja për liberalizimin e vizave.

Ai thotë se Kosova ka plotësuar më shumë kushte se të gjitha vendet e rajonit për këtë proces, duke shtuar se kosovarët po trajtohet si qytetarë të dorës së dytë.

“Unë personalisht jam që taksa mos të hiqet dhe definitivisht askush nga bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë që Beogradi të vë kushte për takimin e Parisit apo për vazhdimin e dialogut, por në fund të fundit jemi vende fqinje edhe për motin me diskutuar është mirë të takohemi. Tek ne nuk janë adresuar kërkesa të veçanta, është diskutuar për përgatitjet për samitin e Parisit që të ketë një progres në këtë takim”.

“Kosova në asnjë rrethana nuk do të pranojë kritere të reja për liberalizimin e vizave as heqjen e taksës as ndonjë qasje apo ndonjë çështje tjetër sepse kemi plotësuar kushtet për liberalizim, është dukë ndodhur një diskriminim dhe një trajtim sikurse me qenë qytetarë të kategorisë së dytë”.

“Kosova ka plotësuar më shumë kritere se të gjitha vendet e rajonit, për vizat nuk duhet të vendosen kriteret të reja por duhet të ndodh vendimi i merituar”.

Vizita e tyre vjen në prag të Samitit të Parisit. Delegacioni francez përbëhet nga Alexandre Adam, zëvendëskëshilltar në kuadër të Presidencës së Francës, Thomas Bertin, Shef i Misionit për Ballkan në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Francës, si dhe nga ambasadori Didier Chabert dhe Carole Blestel-Feffer.

Kurse, delegacioni gjerman përbëhet nga Matthias Lüttenberg, Shef i Divizionit për Marrëdhënie Bilaterale për Lindjen e Mesme dhe Evropën Jugore, nga Christian Hellbach, i cili është i Dërguar Special për Evropën Juglindore dhe Turqinë pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, si dhe nga ambasadori gjerman Christian Heldt.

Të ngjashme