Thaçi kujton Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun në 30-vjetorin e rënies

Prishtinë | 02 Nën 2019 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në 30- vjetorin e rënies heroike ka kujtuar dy heronjtë e hershëm të Lëvizjes Kombëtare, Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun.

Thaçi ka thënë se më 2 nëntor 1989, ata u ballafaquan me trimëri me forcat policore serbe, duke dëshmuar se në Kosovë asnjëherë nuk do të reshte veprimtaria e organizuar kundër sundimit jugosllav.

“Sot u bënë 30 vjet nga rënia heroike e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, dy veprimtarëve të shquar të Lëvizjes sonë kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Afrimi dhe Fahriu ishin të përkushtuar jetësisht dhe të përgatitur gjithanshmërisht për realizimin e idealeve të tyre kombëtare dhe politike. Më 2 nëntor 1989, ata u ballafaquan me trimëri me forcat policore serbe, duke dëshmuar se në Kosovë asnjëherë nuk do të reshte veprimtaria e organizuar kundër sundimit jugosllav. Edhe pse rënia e Afrimit dhe Fahriut ishte humbje e madhe për Lëvizjen kombëtare, emrat e tyre u bënë simbol frymëzimi për gjeneratën tonë, e cila nuk e ndali asnjëherë veprimtarinë, duke realizuar ëndrrën e tyre, çlirimin e Kosovës”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme