Thaçi thotë se ka marrë mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për marrëveshje me Serbinë

Washington | 27 Nën 2018 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Uashington ka zhvilluar një takim me John Bolton, këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit të ShBA-së, Donald Trump.

Sipas një komunikate nga Zyra e tij për Informim, thuhet se në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, për perspektiven euroatlantike dhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

“Presidenti Thaçi e ka falënderuar këshilltarin John Bolton për mbështetjen që presidenti Trump po i jep Kosovës në të gjitha fushat”.

Nga ana tjetër, këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump thuhet se e ka siguruar presidentin e Kosovës se Shtëpia e Bardhë dhe administrata Trump e mbështetë fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi pritet të takojë edhe përfaqësues të Kongresit, Senatit dhe të institucioneve të tjera.

Të ngjashme