Thellimi i ndarjeve të serbëve në Kosovë nga Beogradi

Prishtinë | 29 Qer 2019 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Në dy dekadat e fundit, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, të gjitha qeveritë e Serbisë i kanë trajtuar serbët e Kosovës, të ndarë në serbë të jugut dhe të veriut, por autoritetet e tanishme, të cilat kanë pushtetin në Beograd, këtë ndarje e kanë theksuar edhe më shumë, thonë njohësit serbë të zhvillimeve politike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në rubrikën e përjavshme Fokus, të Radios Evropa e Lirë, ata shprehin mendime të ndryshme lidhur me format dhe motivet e kësaj ndarjeje, e të cilat në fund synojnë një cak politik, madje duke ua krijuar bindjen edhe vetë serbëve të Kosovës, që ta shohin veten si serbë të jugut dhe të veriut të vendit.

Petar Miletiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, thotë për Radion Evropa e Lirë se përvojat e deritashme kanë treguar se Beogradi zyrtar, në vazhdimësi i ka parë serbët që jetojnë në veri të Kosovës, si më të afërt se sa ata që jetojnë në jug të lumit Ibër apo në pjesën qendrore të Kosovës.

“Natyrisht që serbët në veri të lumit Ibër kanë qenë gjithmonë më të privilegjuar në krahasim me ata në jug të lumit Ibër dhe nga ana e Beogradit gjithmonë janë parë disi më të afërt, në çdo kuptim. Numri më i madh i investimeve, madje edhe i parave, gjithmonë kanë shkuar më shumë në veri sesa në jug dhe gjithmonë ata të veriut, që janë marrë me politikë, kanë qenë shumë më mirë të trajtuar dhe më të respektuar sesa ata në jug të Ibrit. Ka këtu edhe arsye objektive pse është kështu, sepse më lehtë është të arrihet deri te veriu sesa te disa enklava në brendësi të Kosovës. Por, ka edhe arsye subjektive dhe raporte personale dhe në veri, veçanërisht elita politike, është shumë më e privilegjuar sesa në jug”, theksoi Miletiq.

Veriu i Kosovës në fokus të Beogradit

Megjithatë, qasja e Beogradit zyrtar ndaj serbëve të Kosovës, duke i parë ata si serbë të veriut dhe të jugut, siç thonë njohësit e zhvillimeve politike, është jashtëzakonisht më e theksuar në dy vjetët e fundit. Për më shumë, sipas tyre, Beogradi zyrtar tashmë i ndanë serbët e Kosovës edhe në forma tjera.

Veroljub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në dy vjetët e fundit, fokusi i Beogradit zyrtar është orientuar gati se tërësisht te serbët që jetojnë në veri të Kosovës. Sipas tij, kjo mund të shihet edhe në bazë të investimeve që Serbia i bën për serbët e Kosovës, të cilat, si thotë ai, janë më të mëdha në veri se sa në jug të lumit Ibër.

“Ndarje ka gjithsesi. Përveç kësaj ndarjes materiale, Beogradi ka kontribuar që të bëhet edhe një qasje tjetër, gjegjësisht, ndarja në serbë lojalë dhe në serbë jolojalë apo në ‘serbët tanë’ dhe serbët e Thaçit. Kjo gjithsesi nuk është e mirë për bashkësinë serbe, qoftë në veri e qoftë në jug të lumit Ibër”, tha Petroniq.

Të ngjashme