Veseli: Obiliqi do të jetë prioritet i Fillimit të Ri 

Obiliq | 06 Qer 2017 | 17:07 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka shpalosur sot para qytetarëve të Obiliqit platformën qeverisëse të Fillimit të Ri.

Duke shkoqitur aspekte përmbajtësore të kësaj platforme, Veseli ka thënë Ligji për Obiliqin, i miratuar kohë më parë nga Kuvendi, me shtytjen e madhe të PDK-së dhe përkrahjen e të gjithë deputetëve të legjislativit, parasheh investimeve milionëshe në qytetin e Obiliqit dhe rrethinën e tij, si në ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, ashtu edhe në asete të tjera.

Kreu i PDK-së theksoi rëndësinë e madhe që ky ligj ka për qytetarët e kësaj komune, të cilët janë duke pësuar jashtëzakonisht shumë në shëndetin dhe mirëqenien e tyre nga efektet e ndotjes industriale. Ai tha se Ligji për Obiliqin do të implementohet qind për qind.

“Kjo komune i jep dritë dhe jetë gjithë Kosovës. Këtij vendi kjo do t’i shpaguhet me një ambient më të pastër, me një fuqi punëtore të inkuadruar në mënyrë prioritare për qytetarët e Obiliqit. Në këtë qytet do të ketë investime në vlerën prej 1 miliard eurosh vetëm në Termocentralin Kosova e re. Ky është Fillimi i Ri për Obiliqin”, theksoi lideri i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në vazhdim të fjalës së tij, Veseli foli për sektorët dhe kategoritë e shoqërisë së Kosovës të cilët pas 11 qershorit do të gëzojnë mbështetje të fuqishme nga qeverisja e re, në funksion të një zhvillimi të hovshëm ekonomik dhe perspektive për qytetarët.

“Do ta fuqizojmë prodhimin, do të pesëfishojmë eksportet, do të dyfishojmë numrin e të punësuarve në sektorin e prodhimit, do t’i fuqizojmë dhe përkrahim të gjithë ata që kanë nevojë për shtetin, si familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, familjet e martirëve, të të pagjeturave, personat më nevoja të veçantë, si dhe të gjitha kategoritë e tjera të cilat kanë dhënë dhe japin kontribut për zhvillimin e shtetit të Kosovës. Do të rriten pagat prej 30 për qind për profesorët, arsimtarët, policët, ushtarakët, zjarrfikësit dhe punëtorë të tjerë të sektorit publik”, konfirmoi Veseli.

Ai tha se nuk duhet rrënuar ajo që është ndërtuar, përkundrazi, sipas tij, duhet ndërtuar edhe më tepër.

Duke folur për sigurinë dhe ruajtjen e sovranitetit të vendit, kryetari i PDK-së tha se përderisa ‘ne mundohemi ta forcojmë sovranitetin dhe shtetësinë tonë, ka të tjerë jashtë Kosovës të cilët ëndërrojnë të kthehen në Kosovë’. Ai tha se nuk duhet lejuar asnjëherë të cenohen flamuri shtetëror e as ai kombëtar dhe shpresat e Serbisë të shuhen njëherë e përgjithmonë.

Gjatë fjalës së tij, Veseli tha se më 11 qershor, çdo qytetarë që mësyn kutitë e votimit, para se të hedh votën duhet të mendojë se kush mund t’i qëndrojë përballë Serbisë, kush mund ta zhvillojë ekonomikisht shtetin e Kosovës, kush mund t’u krijojë perspektivë mjekëve tanë, minatorëve, arsimtarëve, pensionistëve, grave, të rinjve tanë.

“Këtë s’mund ta bëjë askush më mirë se ata që e duan Kosovën, ata që punojnë natë e ditë për Kosovën, ata që nuk e fyejnë atë. Dhe ky është koalicioni i lirisë, koalicioni i Kosovës perëndimore, koalicioni i Fillimit të Ri, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës. Votojeni Partinë Demokratike të Kosovës dhe kandidatët e saj”, u bëri thirrje Veseli qytetarëve të Obiliqit.

Të ngjashme