Vetëvendosje ia merr zyret e PDK-së në Kuvend

Prishtinë | 30 Dhj 2019 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet parlamentare, në Kosovë, sollën ndryshime politike ku Lëvizja Vetëvendosje doli si parti fituese dhe në Kuvendin e Kosovës do të përfaqësohet me 29 deputetë.

Përveç vendeve të garantuara në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosja në bazë të rregullorës së brendshme të Kuvendit ka siguruar edhe hapësira më të mëdha në ndërtesën e Kuvendit.

Që në ditën e parë të konstituimit të Kuvendit, zyret e Grupit parlamentar të PDK-së janë “pushtuar” nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje ku tash e tutje do të veprojnë si grup parlamentar në këto ambiente.


Të hënën janë bërë disa fotografi nëpër korridoret e Kuvendit të Kosovës ku logoja e PDK-së është hequr nga zyrat e këtij grupi parlamentar, ndërsa në derën kryesore është vënë mbishkrimi: “Grupi parlamentar, Lëvizja Vetëvendosje”.

Ndërsa Grupi parlamentar i PDK-së tash e tutje është i vendosur në zyrat ku ka qenë Grupi parlamentar i LVV-së dhe ku është vendosur edhe logoja e kësaj partie.


Në bazë të rregullorë së Kuvendit të Kosovës, partia e cila siguron më së shumti vende në Kuvend po ashtu i takon edhe hapsira më e madhe në ambiente të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2017 kishin pasur përplasje rreth kësaj çështjeje, ku LVV-ja i kishte kërkuar PDK-së që t’ia lëshonte zyrat në Kuvend, pasi që LVV-je edhe atëherë ishte partia që më së shumti kishte siguruar vende në Kuvend.

PDK-ja nuk kishte pranuar t’i lëshonte zyrat me arsyen se zgjedhjet i kishte fituar si koalicion.

Të ngjashme