Viola von Cramon: Pezullimi i Rusisë në KE, mundësi e mirë për anëtarësim të Kosovës – skeptike për anëtarësim në BE dhe NATO

Prishtinë | 05 Mar 2022 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe Raportuesja e Përhershme për Kosovën, Viola von Cramon, është shprehur skeptike për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO me procedura të përshpejtuara, pas agresionit rus në Ukrainë, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë, ajo ka thënë se pezullimi i Rusisë në Këshillin e Evropës është mundësi e mirë për anëtarësim të Kosovës në këtë organizatë multilaterale.

“Po është mundësi e mirë për të dëshmuar se Kosova i ka përmbushur gjitha kushtet për t’u bërë anëtarë e Këshillit të Evropës, meqenëse edhe Rusia është e pezulluar në këtë organizatë. Nuk shoh asnjë procedurë të përshpejtuar sa i përket anëtarësimit. Duhet kaluar në proces bukur të vështirë të reformave”, tha ajo.

Ajo i bëri thirrje krerëve institucional në Kosovë dhe rajon që mos t’i ngritin pritjet e qytetarëve.

“Nuk shoh se ka ndonjë procedurë të përshpejtuar për këdo këtu. Por prapë duhet të luftojmë për ju sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i parë. Pastaj duhet të kemi dialog të suksesshëm, ky është hapi i radhës dhe pastaj mund të fillojmë rrugën normale të integrimit evropian. Nuk shoh se ka një shumicë, ndoshta e kam gabim dhe nuk e kam llogaritur mirë, por sa ka dëgjuar deri tani do të ndjekim gjendjen në Kosovë dhe pesë vendet tjera në Ballkanin Perëndimor shumë afër dhe të jemi në kontakt të ngushta me të gjithë. Por që të kemi një proces të përshpejtuar i cili do të mbështetej nga Këshilli dhe nga shumica e kryeqyteteve nuk kam dëgjuar për këtë gjë. Do t’i kërkoj secilit këtu në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që mos të rrisin pritjet e popullatës së vet, pastaj se në fund duhet të jemi ne ata që e qartësojmë këtë dhe do të duket si zhgënjim për secilin”, tha ajo.

Krahas këtyre, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, tha se protesta e mbrëmshme në Beograd për të përkrahur agresionin rus në Ukrainë ishte irrituese.

“Kemi parë protestat në mbështetje të Rusisë që kanë qenë jashtëzakonisht irrituese për neve kur i shikuam mbrëmë. Por sidoqoftë kur flet me njerëzit në veri të Kosovës me popullatën serbe atje, ata nuk duan tensione. Nuk kanë asnjë interesim që të ketë ndonjë provokim nga ana e tyre. Prandaj konsideroj se çdo dialog duhet të shtrihet deri tek njerëzit dhe mos të shihet si ndonjë aktivitet politik”, theksoi ajo.

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, qëndroi në Kosovë përgjatë tri ditëve, ku u takua me krerë institucional dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Të ngjashme