Presidentja Osmani përshëndet pakon e Qeverisë, fton mësimdhënësit që t’i hapin dyert e shkollave të hënën

Prishtinë | 03 Sht 2022 | 19:18 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja Osmani ka dalë në një konferencë për shtyp pas takimeve të shumta që ka pasur sot me liderët e sindikatava që janë në grevë, me Këshillin e Prindërve dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Vjosa Osmani ka mirëpritur pakon ekonomike të prezantuar nga Qeveria Kurti sot, përmes së cilës mësimdhënësit përfitojnë 50 euro në muaj.

“Ftoj BSPK-në dhe SBASHK-un që në mirëbesim me anëtarësinë e tyre ta shqyrtojnë këtë pako”, është shprehur presidentja në konferencë.

“Jam e bindur se zgjidhja mund të arrihet vetëm përmes dialogut”.

Osmani bëri thirrje që greva të ndalet menjëherë dhe mësimi të fillojë të hënën, pasi që sipas saj Qeveria ka bërë një hap të rëndësishëm me këtë pako të re.

“I ftoj mësimdhënësit që t’i hapin dyert e shkollave të hënën”, u shpreh Osmani.

Ajo tha se interesi i nxënëse është parësor, prandaj ka kërkuar që mësimi të fillojë menjëherë.

“Sot gjatë tërë ditës kishim takime. Në radhë të parë me përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve, Këshillit të Nxënësve, Koalicionin e Organizatave për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, BSPK-në, SBAShK-un, me bordin e Asociacionit të Komunave të Kosovës. Me të gjithë këta diskutuam për mundësitë për rifillimin e procesit mësimor nga e hëna e javës që vjen”.

“Për më tepër përgjatë gjithë ditëve që kaluan vazhdimisht kam qenë në komunikim me Qeverinë e Kosovës gjë që ka vazhduar edhe sot dhe do të vazhdojë edhe nesër dhe tutje lidhur me këtë çështje. Dua të theksoj se e drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë asnjëri nga ne që të cenohet, por përkundrazi duhet të bashkojmë forcat që të përmirësojmë cilësinë e sistemit tonë arsimor me nxënësit në qendër të vëmendjes”.

“Interesi i nxënësve, fëmijëve të këtij vendi, është parësor ndaj mësimi duhet të fillojë menjëherë. Sot në takime me shoqatat e nxënësve dhe prindërve diskutuam për sfidat e shumta me të cilat fëmijët ballafaqohen në shkollat tona – që nga aspekti infrastrukturor tek çështjet e sigurisë, cilësia e arsimit në shkolla e deri te ngacmimet seksuale dhe bulizmi – dukuri që janë prezentë gjithnjë e më shumë”.

“Kam garantuar si presidente që do të shtyjë përpara adresimin e të gjitha këtyre çështjeve, duke pasë në qendër të vëmendjes fëmijët dhe fëmijët. Jam e përkushtuar maksimalisht për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që procesi mësimor të fillojë sa më parë që të jetë e mundur dhe që nxënësit të mos pësojnë më tutje, sepse është interesi i tyre që po dëmtohet pariparueshëm”.

Të ngjashme