Vjosa Osmani tregon si Kuvendi i Serbisë ia ka ndaluar shkuarjen në Beograd

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 13:25 | Nga

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur që të udhëtojë sot për në Serbi.

Por një ftesë që ka pasur ajo, është tërhequr, çka pamundëson shkuarjen e saj atje.

“Në Ditën e Evropës, Serbia tregon fytyrën e vërtetë anti-evropiane. Sot, edhe zyrtarisht jam njoftuar përmes një shkrese me gjuhë aspak diplomatike dhe zyrtare, për vendimin e Kuvendit të Serbisë, për të tërhequr ftesën për pjesëmarrje në Konferencën e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Serbisë, z. Nenad Canak”, ka thënë Osmani.

“Shteti i Serbisë, përmes këtij vendimi, tregoi se sa shumë ndikohet nga shovinistët dhe kriminelët e luftës si Vojislav Sheshelj. Ishin pikërisht provokimet e këtij të fundit, të cilat sollën destabilizim të raporteve edhe me shtetin e Kroacisë javët e fundit”.

Sipas saj edhe pse ka hapur shumicën e kapitujve për anëtarësim në BE, Serbia tregon se mbetet një shtet me vlera antievropiane dhe se gjithë të arriturat e saj drejt rrugës integruese i ka fituar përmes temave të Kosovës, dhe jo për shkak të meritave dhe përmbushjes së standardeve.

“Veprime të tilla të Serbisë nuk i kontribuojnë paqes e as normalizimit të raporteve, e aq më pak rrugës evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

“Megjithatë, në krejt këtë situatë, është për t’u përshëndetur vullneti i mirë i Kryetarit të Komisionit z.Canak. Për të qenë të denjë për ta kremtuar 9 majin, Ditën e Evropës, politikanët në Serbi duhet ta ndjekin shembullin e tij”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme