Vuçiq përmend Asociacionin në takimin me Donfried: Pala jonë i ka përmbushur detyrimet

Prishtinë | 26 Pri 2022 | 20:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar sot Ndihmës Sekretaren e Shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Azinë, Karen Donfried, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin evropian të Serbisë, dialogun Kosovë-Serbi e tema tjera.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Aziatike Karen Donfried theksoi se Shtetet e Bashkuara mbrojnë fuqishëm që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe përsëriti se ky është një nga prioritetet e politikës së jashtme amerikane ndaj rajonit. Duke përshëndetur nismën “Ballkani i hapur” dhe synimin e Serbisë për të vënë çështjet ekonomike në fokus të bashkëpunimit rajonal, Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së theksoi se kjo nismë paraqet një mundësi për të promovuar edhe më mirë potencialet investuese të rajonit.

“Pala jonë i ka përmbushur detyrimet, ndërsa Prishtina me këmbëngulje po i shmanget zbatimit të detyrimeve të saj. Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk ka filluar”, tha Vuçiq, raporton Danas.

Gjatë takimit në Beograd të martën, Vuçiq ka përmendur edhe “Ballkanin e Hapur”, duke thënë se është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal.

Sipas Presidencës së Serbisë, ndihmëssekretarja amerikane Donfried,  ka përshëndetur iniciativën “Ballkani i Hapur”, duke thënë se është mundësi për të promovuar potencialin investues të rajonit.

Presidenti përshëndeti praninë e kompanive të shumta dhe të rëndësishme amerikane që operojnë me sukses në Serbi.

“Në krahasim me vitin 2010, Serbia ka rritur njëqind herë eksportet e saj në Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti Vuçiq.

Të ngjashme