Vuçiq takohet me Patriarkun Irinej, flasin për “luftën për Kosovën” dhe pozitën e serbëve

Prishtinë | 12 Gus 2020 | 18:27 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka njoftuar se është takuar me Patriarkun Irinej, të parin e Kishës Ortodokse të Serbisë, ku pas takimit njoftoi se në mesin e temave kryesore kombëtare të diskutuara temë ishte Kosova, transmeton Gazeta Metro.

Presidenti serb Vucic u takua me kreun e parë të klerit serb ortodoks Irinej para vendimeve të mëdha të javës së ardhshme, ku pritet shpallja e qeverisë së re.

Vucic shkroi në faqen e tij në rrjetin social Instagram se kishte një bisedë të mirë me Irinej për të gjitha temat me rëndësi kombëtare serbe.

“Bisedë e mirë dhe gjithëpërfshirëse me shenjtërinë e tij patriarkun e zotëriun Irinej për të gjitha temat me rëndësi kombëtare, për luftën për Kosovë e Metohi, përmirësimin e gjendjes së serbëve në rajon, si dhe përfundimin e tempullit të Shën Savës në Beograd” shkruan Vucic në profilin e tij.

Ndikimi i Kishës Ortodokse Serbe është lëkundur pas ngjarjeve në Mal të zi pas miratimit të ligjit të ri të komuniteteve religjioze që i heqin primatin dhe e barazojnë atë si institucion me komunitetet tjera. Në dyshim vihen edhe prona e kishës serbe pas nismës së rikthimit të kishës malazeze ortodokse si e pavarur pas shkrirjes së saj në vitin 1918 në atë serbe.

Kisha serbe hapur përmendet si bashkëpunëtore dhe mbrojtëse e interesave rus në Serbi dhe ka zëra në vendin fqinjë se ata ishin të përfshirë në grusht shtetin e tentuar në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi para katër viteve.

Serbët në Mal të Zi kanë protestuar që nga shpallja e miratimit të këtij ligji dhe janë ndalur vetëm pas shpalljes së pandemisë dhe bisedimet mes tyre për një kompromis nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat përveç takimeve.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Djukanovic, këmbëngul se roli i kishës serbe në Mal të Zi nuk do të ketë asnjë pikë më shumë sesa i takon me ligj. Djukanovic arsyeton se i takon shtetit malazez të ketë kishën e vet pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2006.

Presidenti serb Vucic ka qëlluar që është kritikuar nga kleri serb radikal dhe ai qendror me raste posaçërisht në kohën e negociatave me kosovarët, si dhe në fillimet e krizës me Malin e Zi për shkak të ligjit të ri.

Të ngjashme