VV-ja inicion mocion për rrëzimin e Qeverisë Hoti, nis mbledhjen e nënshkrimeve

Prishtinë | 06 Gus 2020 | 12:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar mocion për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetarja e VV-së, Arbërie Nagavci, në një konferencë për medie ka numëruar siç ka thënë ajo dështimet e kësaj Qeveri.

Ajo ka dhënë arsyet se pse Qeveria Hoti duhet që të rrëzohet.

“Kjo Qeveri është jo kushtetuese dhe jo ligjore, ajo e ka dëshmuar tash se është e paaftë për të qeverisur vendin. Kosovës i duhet një Qeveri që dëshmoi se mund të qeveriset me duar të pastra”.

“Në mungesë të planifikimit për t’u përballur me pandeminë, kjo qeveri e ka kolapsuar sistemim shëndetësor edhe ashtu të prishtë të vendit tonë. Kemi me dhjetëra raste të vdekjeve në ditë. Nuk ka asnjë plan. Po ashtu nuk ka ndonjë plan për rimëkëmbje ekonomike. Punëtorët, bizneset e pjesa më e madhe e qytetarëve po vazhdojnë të vuajnë pasojat e pandemisë”.

“Kjo qeveri po e çon vendin drejt një katastrofe humanitare. Ndaloi vettingun, që nënkupton se nuk duan gjyqësor të pavarur, sepse nuk duan ndryshime, por duan të vazhdojë avazi i vjetër. Po ashtu njëjtë veproi me ndërmarrjet. U shkarkuan bordet e pavarurar të emëruara nga Qeveria Kurti pa asnjë arsye, për të sjellë njerëz të partive në to”.

“Kjo Qeveri nuk ka as si të na përfaqësojë në skenën ndërkombëtare. Ndër vendimet e para që mori ishte heqja e reciprocitetit. Po ashtu hoqi dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare. Edhe pse pa platformë kjo Qeveri po mundohet të tregojë se po negocion me Serbinë. Por, si përfaqësues nxjerr një njeri që nuk ka legjitimitet”.

“Kosova ka pasur gjithmonë nevojë për një Qeveri të mirë, por tash më tepër se kurrë më parë. Një Qeveri që ka dëshmuar se di të udhëheq me duar të pastra, di të menaxhojë me pandemi dhe se interesin publik e ka në rend të parë”.

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi, ka prezantuar mocioni duke thënë se ai mund të ndryshojë në bashkëpunim me deputetët dhe grupet parlamentare në Kuvend.

“Nga sot Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë”.

I pyetur se a kanë mbështetjen e partive të tjera për këtë mocion, Selimi tha se pretendojnë t’i marrin votat e mjaftueshme për ta rrëzuar Qeverinë “Hoti”, pa specifikuar nëse kanë pajtimin e PDK-së.

Përderisa sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili mbrëmë ka thënë se do ta rrëzonin qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Mirëpo Ismaili ka thënë se Vetëvendosje ka vetëm fjalë e jo vepra.

Gjatë së mërkurës kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i është kundërpërgjigjur kritikave të kreut të AAK-së dhe partnerit të koalicionit, Ramush Haradinajt, pasi ky i fundit, dha shenja se koalicioni mund të prishet nëse nuk koordinohen për negociatat finale me Serbinë, raporton EO.

Mustafa tha se shumë shpejt do ta takoj kreun e AAK-së, për t’i diskutuar përçarjet që janë shfaqur ditëve të fundit në media, nga partnerët e koalicionit.

Pas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, edhe partneri tjetër i koalicionit qeverisë Nisma për Kosovën është e pakënaqur me mënyrën se si kryeministri Avdullah Hoti po i udhëheqë bisedimet finale me Serbinë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi tha se nuk janë të kënaqur me punën e kryeministri Hoti sa i përket dialogut.

Të ngjashme