ZKA-ja këtë vit shpenzoi më shumë se 60 mijë euro në udhëtime zyrtare

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 08:07 | Nga Ekonomia Online

Mesatarisht 3.1 vizita në muaj jashtë vendit ka realizuar Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) këtë vit. Në 38 udhëtime jashtë vendit janë shpenzuar 60 mijë e 541 euro, prej të cilave 22 mijë euro kanë qenë mëditje të paguara për zyrtarët që kanë qenë pjesë e udhëtimeve.

Përveç 38 udhëtimeve, ZKA-ja ka realizuar edhe tri vizita më qëllim të auditimit të ambasadave të Kosovës në Gjermani, Austri dhe Francë. Për auditim të këtyre ambasadave janë shpenzuar më shumë se 11 mijë e 400 euro, shkruan sot Koha Ditore.

Listës për nga numri i udhëtimeve e edhe për nga shpenzimi i prin auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, i cili ka qenë pjesë e 15 udhëtimeve dhe ka shpenzuar gjithsej 10 mijë e 167 euro, ose 677 euro për secilin udhëtim, ose 16.6 për qind të totalit të shpenzimeve.

Sipas një përgjigjeje të shkruar të ZKA-së dhënë gazetës, të gjitha këto udhëtime janë realizuar për qëllime profesionale. “Vlera totale e shpenzuar në udhëtime për qëllime profesionale është rreth 60 mijë e 541 euro. Në shumën prej 60 mijë e 541 eurosh janë paraqitur të gjitha shpenzimet e realizuara për udhëtimet zyrtare për qëllime profesionale, përfshirë këtu edhe shpenzimet e vogla- para xhepi. Shuma e parave të xhepit nga vlera 60 mijë e 541 euro është 22 mijë e 445 euro”, thuhet në këtë përgjigje.

Sipas ZKA-së, këto para janë shpenzuar për realizimin e gjithsej 38 udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe 3 udhëtime me qëllim të kryerjes së auditimit të ambasadave. Në këto udhëtime thuhet se kanë marrë pjesë 66 zyrtarë të ZKA-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme