Zymberi: Me Ligjin e Pagave deputetët bënë luftë politike për poenë politikë

Prishtinë | 01 Kor 2020 | 21:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi e ka cilësuar të drejtë anulimin e Ligjit të Pagave nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Zymberi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se deputetët e kanë ditur që Ligji i pagave ka pasur elemente antikushtetuese por sipas tij ata kanë luftuar për poenë politikë.

“Ata kanë bërë luftë politike për poenë politikë dhe shumë pak janë interesuar që ky Ligj ta merr formën e një ligji të qëndrueshëm”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai tha se nuk ndihet mirë pse Ligji është anuluar në tërësi pasi kanë mundur që disa sektorë të vazhdojnë e disa të tjerë të përmirësohen.

“Jam ndjerë keq për kategoritë si arsimi, shëndetësia apo policia por ne shërbyesit civil kanë qenë të lënë anash prej vitesh”.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës thotë se Besnik Tahiri e kishte dërguar një versin shumë më të mirë të Ligjit të Pagave por sipas tij ai ligj doli ndryshe nga Kuvendi.

“Parimi “pagë të njëjtë për punë të njëjtë” është shkelur. Sekretari i një institucioni ka pasur rrogë më të madhe se një drejtor i një institucioni tjetër që ka menaxhuar me shumë punëtorë”.

Zymberi thotë se në Kuvend janë dërguar me dhjetëra amendamente për të plotësuar kërkesat e grupeve të caktuara.

“Deputetët dërgonin amandamentime duke i thënë njëri-tjetrit “votoma atë ta votojë këtë””, deklaroi ndër të tjera Mursel Zymberi.

Të ngjashme