Zyra e BE-së paralajmëron Kosovën: Mosmiratimi i Kodit Civil do të ketë pasoja serioze

Prishtinë | 02 Mar 2022 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka thënë se mosmiratimi i Kodit Civil do të ketë pasoja serioze negative në jetën e qytetarëve.

Në një reagim nga kjo Zyrë thuhet se Kodi Civil do të rregullojë konceptet juridike moderne lidhur me detyrimet kontraktuale, të drejtat pronësore, marrëdhëniet familjare dhe të drejtat e trashëgimisë dhe se mosmiratimi i tij do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovë.

“Mos miratimi i Kodit Civil do të ketë pasoja serioze negative në shumë aspekte të jetës së qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës, si dhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës/2, thuhet ndër të tjera në reagim.

Aty tutje potencohet se për të shmangur martesat e të miturve, është e ndaluar martesa nën moshën 18 vjeç siç rekomandohet në vendet e BE-së.

Po ashtu, gratë kanë të drejtë për procedura të barabarta dhe transparente në lidhje me divorcin dhe trashëgiminë para noterëve dhe gjykatave.

“I bëjmë thirrje deputetëve të marrin në konsideratë këtë pjesë të rëndësishme të legjislacionit dhe të përfshijnë shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit në shqyrtimin e mëtejshëm të këtij Kodi, veçanërisht kur bëhet fjalë për garantimin e të drejtave të grupeve më vulnerabël, siç u përmend më lart”, përfundon reagimi.

Të ngjashme