“Politiko”: Vuçiq e Thaçi pajtohen se nuk po pajtohen

Prishtinë | 19 Shk 2019 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi për portalin Politiko, në margjinat e Konferencës së Sigurisë të Munihut se në përpjekjet për arritjen e marrëveshjes me Prishtinën, e cila ndoshta nuk do të pëlqehet në opinionin vendës, më shumë më motivon qëllimi, sesa politika ditore, transmeton Koha.net.

Marrëveshja duhet të arrihet, thotë Vuçiq dhe shton: “Në të kundërtën do të ballafaqohemi me katastrofë. Unë besoj në trashëgiminë e dikujt, këtë do të doja ta shihja”, ka thënë Vuçiq, e citon Politiko.

Sajti i Brukselit në një shkrim të gjerë ka publikuar bisedat që gazetari i këtij portali gjatë Konferencës në Munihut kishte zhvilluar me Vuçiqin, me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn, si dhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviqin.

Në tekstin “Mbi Kosovën: Tre presidentë dhe kryeministri”, pjesa që i kushtohet Vuçiqit ka nëntitullin “Në kërkim të trashëgimisë” dhe në të theksohet se Vuçiqi “e bën të qartë se nuk do të kthehet në tryezën e negociatave deri sa Kosova të mos e heq tarifën 100 për qind të vënë në produktet serbe në nëntor të vitit të kaluar, si përgjigje ndaj përpjekjeve të Beogradit për të bllokuar anëtarësimin e Prishtinës në Agjencinë e Policisë Interpol”.

Vuçiq tha se po u hoq tarifa “menjëherë kthehet në Bruksel” për të vazhduar dialogun. Pas kësaj pasoi pyetja e gazetarit, se Haradinaj, për të cilin Politiko thekson se “është forca motorike që qëndron pas tarifave”, ka thënë se ato do të hiqen vetëm pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare.

“Kam kujtuar se është i papërgjegjshëm, por jo se është aq i papërgjegjshëm”, është përgjigjur Vuçiq.

Rikujtohet se presidenti i Serbisë “u ka bërë thirrje fuqive të jashtme që të bëjnë “presion pozitiv” ndaj të gjitha palëve, duke e bërë të qartë se dëshirojnë të shohin marrëveshjen dhe të ofrojnë nxitje që do të mund të çonin në arritjen e saj, por më pastaj ka shtuar”:

“Kjo më shumë na përket neve, serbëve e shqiptarëve, të jemi të sinqertë”, ka thënë Vuçiq.

Theksohet edhe se presidenti serb ka thënë se “të dy palët duhet të jenë të lira të bisedojnë për caktimin e kufirit të përbashkët”, ndonëse, sipas vlerësimit të portalit Politiko “biseda rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve ka nxitur reagime në rajon dhe ka përçarë fuqitë botërore”.

Në tekst më tutje thuhet se “ka rënë entuziazmi i BE-së në lidhje me idenë se marrëveshja mbi Maqedoninë Veriore do të mund të krijonte momentum për zgjidhjen në mes të Serbisë e Kosovës”.

“Kjo tregon se Evropa do më shumë lajme të mirë se diçka shumë më të rëndësishme në lidhje me situatën në mes të Beogradit e Prishtinës. Kjo nuk mund të krahasohet… Kjo është 100 herë më e vështirë”, është shprehur Vuçiq.

“Politiko” vlerëson se në lidhje me “debatin e zhurmshëm publik” mes Vuçiqit e Thaçit në Munih “lajm i mirë është se ata nuk po pajtohen gjithaq” dhe se kjo përafërsisht është ajo për çka janë pajtuar, përcjell Koha.net. Portali tregon se debati “ka treguar qartë sa vështirë do të jetë të arrijnë një marrëveshje paqësore, madje as dy dekada pas luftës”.

Sajti i Brukselit përmend se “edhe Thaçi, edhe Vuçiqi kanë thënë se shkëmbimi i mendimeve midis tyre me disponim të keq ishte i dobishëm meqë ka hequr iluzionet se ata shpejt do të arrijnë marrëveshje”, por edhe rikujton se “ata edhe më tutje ndodhen nën presionin e fuqishëm perëndimor për të vazhduar më tutje”.

“Vuçiq dhe Thaçi kanë shkëmbyer akuza që lidhen me luftën dhe kanë polemizuar rreth asaj se kush është fajtor për ndërprerjen e dialogut me ndërm,jetësimin e BE-së, me qëllim të zgjidhjes së mospajtimeve. Por, BE dhe SHBA kërkojnë nga liderët që të jenë më të mirëkuptueshëm. Donald Trump u ka shkruar letër duke i inkurajuar që të shkojnë drejt një marrëveshjeje, me të cilën do të vendosej vija ndarëse me luftën e fundit në serinë luftërave për shkak të të cilave u shpërbë Jugosllavia gjatë viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar”, shkruan portali.

Theksohet po ashtu se “kur është fjala për BE-në, marrëveshja në masë të madhe do të ulëte gjasat për ringjalljen e konfliktit të ngrirë ndërmjet Serbisë e Kosovës”, dhe se “edhe BE-ja dhe SHBA-ja janë të vendosura që ta lidhin Ballkanin Perëndimor fuqishëm më Perëndimin, duke zvogëluar kështu ndikimin e Rusisë, të Turqisë dhe të fuqive të tjera rivale në rajon”.

“Liderët perëndimorë shpresojnë se mbyllja e konfliktit afatgjatë ndërmjet fqinjëve ballkanikë Greqisë dhe, tash të riemëruar, Maqedonisë Veriore do të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë që të ndjekin shembullin e tyre”, thuhet në tekstin e këtij portali, transmeton Koha.net.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme