Pollo: Zëdhënësi i Merkelit përkrahu tregun e përbashkët, jo nismën “Open Balkan”

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 21:16 | Nga Ekonomia Online

”Open Balkan” vijon të jetë një temë e ditës, jo vetëm në Shqipëri. Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo thotë se deklaratat e kryeministrit Rama se Gjermania e përkrah nismën e Ballkanit të Hapur nuk qëndrojnë. Sipas tij, zëdhënësi i kancelares gjermane Merkel, është qartazi në përkrahje të plotë të tregut të përbashkët rajonal një produkt i Procesit të Berlinit i nismuar para disa vitesh.

Postimi i plotë i Genc Pollos:

Shprehja “ti lësh tjetrit kopilin në derë” nënkupton një veprim të bërë fshehurazi nga dikush dhe që do të shkaktoje më së paku surprizën e të zotit të shtëpisë. Elementi fshehurazi mungon në deklaratën (cicërimë në tëitter) e Edi Ramës se qeveria gjermane përkrahu nismën e tij bashkë me Vuçiçin e Zaevin të riquajtur Ballkan i Hapur (deri dje Minishengeni).

Në fakt deklarata e zotit Seibert, zëdhënës i kancelares Merkel, është qartazi në përkrahje të plotë të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR), një produkt i Procesit të Berlinit i nismuar para disa vitesh po nga zonja Merkel.

TPR nuk ka asnjë lidhje fizike, organike, funksionale apo organizative me Minishengenin e Ballkanin Hapur. Në TPR marrin pjesë të tërë shtetet e Ballkanit Perëndimor përfshi Kosovën. Në Minishengen kemi vetëm trojkën Vuçiç, Zaev e Rama. E megjithatë Rama nuk e ka për zor të thotë se qeveria gjermane mbështet Minishengenin. Dhe t’i gjejë kështu kopilit të tij një baba të madh e të kamur.

Ah po! Dy nismat kanë diçka të përbashkët: edhe trojka udhëheqëse e Minishengenit, ashtu si dhe TPR, i referohet katër lirive evropiane. Si t’i thuash tjetrit se meqë foshnja ka dy duar e dy këmbë atëherë është e jotja.

Të ngjashme