Polonia dhe Italia refuzojnë t’i bashkohen Bordit të Paqes të Trump

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Polonia dhe Italia kanë njoftuar të mërkurën se nuk do të bëhen pjesë e Bordit të Paqes të presidentit amerikan, Donald Trump, duke iu bashkuar kështu listës së aleatëve të Uashingtonit që po mbajnë një qasje të rezervuar ndaj këtij mekanizmi, njoftojnë mediat ndërkombëtare.

Fillimisht konceptuar për të mbështetur armëpushimin në Gazë, Trump e sheh Bordin e Paqes me një rol më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve globale, gjë që ka ngritur dyshime tek disa vende se mund ta kthejë atë në një rival të Kombeve të Bashkuara. Ftesa për të marrë pjesë e Rusisë dhe Bjellorusisë ka shtuar pasigurinë tek vendet perëndimore.

“Konsideruar disa dyshime kombëtare lidhur me formën e bordit, në këto rrethana Polonia nuk do t’i bashkohet punës së Bordit të Paqes, por do ta analizojmë atë,” ka deklaruar kryeministri polak, Donald Tusk, gjatë një mbledhjeje qeveritare.

“Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe do të mbeten prioriteti ynë, kështu që nëse rrethanat ndryshojnë dhe mundësojnë bashkimin në punën e Bordit, nuk përjashtojmë asnjë skenar,” ka shtuar ai.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka konfirmuar po ashtu të mërkurën se Italia nuk do të bëhet pjesë e Bordit të Paqes.

“Nuk mund t’i bashkohemi Bordit të Paqes sepse ekziston një pengesë kushtetuese e pakapërcyeshme nga ana e Italisë,” tha ai për kanalin Sky TG24.

“Megjithatë, nëse duhet të punojmë për përpjekje rindërtimi që synojnë sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme, jemi të gatshëm ta bëjmë këtë,” shtoi Tajani.

Sipas Kushtetutës italiane, vendi mund t’u bashkohet organizatave ndërkombëtare vetëm në kushte të barabarta me shtetet e tjera, një kusht që, sipas Romës, nuk plotësohet nga statuti aktual i Bordit, i cili i jep Trumpit kompetenca të gjera ekzekutive. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e afërt me Trumpin, kishte deklaruar muajin e kaluar se i kishte kërkuar atij të ndryshonte kushtet e Bordit të Paqes për t’i mundësuar Italisë anëtarësimin.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se nga fundi i muajit shkurt, Trumpi pritet të mbajë në SHBA mbledhjen e parë të Bordit, ku pjesë do të jetë edhe Kosova.

Të ngjashme