“Lufta ka shkaktuar në Poloni dëme të jashtëzakonshme”. Para përkujtimit të 80-vjetorit të sulmit të Gjermanisë naziste ndaj Polonisë, presidenti polak, Andrzej Duda përsërit kërkesat e Polonisë për reparacione.
Reparacionet e luftës janë „një çështje e përgjegjësisë dhe moralit”, ka thënë presidenti polak, Andrzej Duda për gazetën „Bild” të shtunën (31.08). „Lufta, për të cilën flasim sot ka shkaktuar në Poloni dëme të jashtëzakonshme”. Parlamenti polak do të paraqesë për këtë „një faturë”. „Gati 6 milionë qytetarë polakë janë vrarë, qytetet tona u rrënuan, kryeqyteti ynë u shkatërrua tërësisht”, është shprehur kreu i shtetit polak për gazetën gjermane. „Shumica ishin civilë të pafajshëm, të vrarë në bastisje, aksione të ndryshme, në geto dhe kampe përqëndrimi. Ne nuk e harrojmë këtë: Gati gjysma e viktimave polake, tre milionë vetë ishin hebrenj, të shuar brutalisht nga ideja e çmendur racore e Hitlerit.”
Nga ekspertizat e kryera me porosinë e ish-presidentit, Lech Kaczynski, sipas Dudas, duket qartë, se këto dëme nuk janë dëmshpërblyer kurrë. Një komision i parlamentit në Varshavë do të paraqesë shpejt një faturë në raportin përfundimtar. „Jam i sigurtë, ne do ta gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Duda për „Bild”. Në të njëjtën kohë, kreu i shtetit polak kujtoi marrëdhënien e mirë mes Gjermanisë dhe Polonisë, që „është shembull për popujt e kësaj bote.” Sipas presidentit polak, „Gjermania dhe Polonia janë pajtuar, në të gjitha drejtimet.”
Të dielën, më 1 shtator në ceremoninë përkujtimore të sulmit të aviacionti ushtarak gjerman kundër qytetit të vogël polak, Vielun, merr pjesë edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Sulmi i Gjermanisë naziste kundër Polonisë më 1 shtator 1939 shënoi edhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës deri në vitin 1945 humbën jetën 80 milionë vetë. Gjermania e konsideron të mbyllur çështjen e reparacioneve dhe i referohet me këtë „Marrëveshjes Dy-plus-Katër”, për pasojat në politikën eë jashtme të bashkimit gjerman në vitin 1990. Në marrëveshjen mes Republikës Federale Gjermane, RDGJ-së, dhe katër ish-fuqive pushtuese, SHBA, Bashkimi Sovjetik, Franca dhe Britania e Madhe nuk përmenden shprehimisht reparacionet e luftës.