Greva në arsim, për ekspertin e arsimit Dukagjin Popovci, nuk është mjeti i duhur, ndërsa kërkesën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës për rritjen e koeficientit të pagës, e quan të arsyeshme.
Popovci në një intervistë për Ekonomia Online thotë se projektligji për Pagat, duhet të shqyrtohet edhe një herë në Kuvend dhe të punohet në të.
Vendimin e Haradinajt ai e ka vlerësuar si mënyrë për të ruajtur pagat e zyrtarëve të vet qeveritarë.
“Ndoshta vendimi më i mirë në këtë situatë është që të tërhiqet projektligji dhe të punohet edhe një herë me kujdes duke qenë të gatshëm zyrtarët e lartë të shtetit që t’i zvogëlojnë pagat e tyre dhe t’i bëjnë të ngjashme me pagat e vendeve të tjera të rajonit që kanë standard shumë më të lartë se Kosova. Pikërisht e shoh si rrugë për t’i ruajtur këto paga të larta të zyrtarëve të lartë të shtetit. Në kushte normale mendoj se kryeministri dhe kuvendi do duhej që për këtë projektligj ta tërheqin, sepse kjo nuk është pazar, të shtrohen kërkesa me një anë dhe oferta në anën tjetër dhe tani të shohim se ku do të gjendet ajo pika e përbashkët”, tha Popovci.
Sipas Popovcit greva është rezultat i një gare në Qeveri dhe një loje brenda strukturave të saj, e cila sipas tij, ka filluar që nga marrëveshja ndërmjet koalicionit PAN dhe SBAShK-ut para zgjedhjeve nacionale.
“Është rezultat i një gare që ekziston brenda Qeverisë mes dikastereve të ndryshme se kush po jep, cili ministër po arrin që sektorit të vetë t’ia sigurojë pagat më të larta dhe kështu është krijuar një listë e çuditshme e koeficienteve, ku në krye të listës janë udhëheqësit e lartë shtetëror me pagat më të larta në rajon. Pastaj vijnë ato kategoritë të cilat kanë arritur t’i favorizojnë ministrat e ndryshëm që janë më të fortë në kuadër të Qeverisë dhe në fund vijnë mësimdhënësit me koeficiente më të ulët prandaj edhe e gjithë kjo ka shkaktuar revoltën që është pasqyruar në grevë e cila tani edhe po e dëmton sistemin e arsimit”, pohoi Popovci.
Drejtori i Qendrës për Arsim e Kosovës, ka thënë se vazhdimi i kësaj greve edhe për ditë e javë të tjera, mund të shkaktojë pasoja edhe më të mëdha, duke krijuar greva të tjera të kategorive të pakënaqura.
” Jo që kjo grevë mund të vazhdojë për disa javë të tjera, por mund të hapen edhe greva të tjera, sepse edhe kategoritë tjera janë të pakënaqura me këto propozime. Mendoj se një akt moral kishte me qenë që së pari të merr vendim për zvogëlim të koeficienteve të vet, të zyrtarëve të lartë të shtetit, e pastaj ka mundësi që t’i shkurtoj edhe koeficientet e kategorive tjera. Nëse qeveria jonë kërkon që kryeministri, ministrat, të paguhen sa dyfishi i kryeministrit e ministrave në vendet fqinje, atëherë është normale që do të përballet me kërkesa të kësaj natyre, jo vetëm tani por edhe në të ardhmen dhe kjo rrezikon stabilitetin financiar të vendit”, tha Popovci për Ekonomia Online.
Përndryshe, greva ka filluar më 14 janar të këtij në gjithë sistemin arsimor në Kosovë, me kërkesën për rritje të koeficientit për 30 për qind.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, këtë fundjavë kishte dalë në një konferencë për rritje të pagave për 20 milionë euro për gjithë arsimin, mirëpo nuk u pranua nga SBAShK-u.