Portieri shtatlartë i skuadrës së Schaffhausenit, Amir Shaipi, pranon se ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës.
Portieri 194 centimetra, i lindur në Schaffhausen të Zvicrës, në një intervistë dhënë të dielën për “Kohën”, thotë se është shumë i kënaqur. Ftesën nga “Dardanët” e quan sukses.
“E kam marrë ftesën dhe jam shumë i kënaqur, sepse çdo lojtar e sheh si sukses kur ftohet nga përfaqësuesja”, ka thënë Shaipi.
Edhe pse ftesën e ka marrë, Shaipi thotë se momentalisht është i fokusuar te klubi i tij, që po lufton për mbijetesë në Kategorinë e Dytë të kampionatit zviceran.
“Unë tash jam i fokusuar më shumë në planet rreth klubit. Të shohim, edicioni po vazhdon dhe unë jam i fokusuar vetëm në ekipin tim për ta ndihmuar që të fitojë sa më shumë ndeshje tjera. Sa u përket çështjeve të tjera, me ato merret menaxheri im. Edhe sa i përket ndonjë klubi tjetër”, është shprehur Shaipi.
Shaipi ka komentuar edhe ndeshjet që Kosova i ka zhvilluar deri tash. Ai ka thënë se e ka përcjellë rregullisht në ndeshjet e fazës së Ligës së Kombeve dhe kualifikimet e kampionatit evropian. Ai thotë se ekipi i udhëhequr nga përzgjedhësi zviceran Bernard Challandes ka lojtarë goxha të mirë.
“Po, e kam përcjellë Kosovën dhe mund të them se ka një super-ekip. Lojtarë shumë të mirë”, ka deklaruar Shaipi.
19-vjeçari është edhe përfaqësues i ekipit U-21 të Zvicrës. Këtë edicion, Shaipi në portën e Schaffhausenit ka qenë 21 herë, derisa është pjesë e Shpresave të Zvicrës, kurse për U-20 ka luajtur në katër ndeshje.
Shaipi ka lindur në Zvicër, por babai i tij është nga Prizreni. Madje, vitin e kaluar ka qenë për pushime në Kosovë dhe thotë se do ta vizitojë sërish, meqë i ka pëlqyer vendi i lindjes së babait të tij.
Në fakt, Shaipi gjatë pushimeve është takuar në Kosovë edhe me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi. Ka mbetur që të ketë edhe një takim për t’u dakorduar që Shaipi të vendosë përfundimisht ta lërë Zvicrën dhe ta përfaqësojë Kosovën.
“Kam qenë për pushime. Më ka pëlqyer shumë. Kam familjen e babait nga Prizreni. Kam kaluar bukur dhe gjithmonë kam dëshirë të shkoj në Kosovë për pushim”, është shprehur Shaipi.
Shaipi luan rregullisht te klubi i tij, ndryshe nga dy portierët e parë të Kosovës, Aro Muriq dhe Samir Ujkani, të cilët ka kohë që nuk kanë luajtur në klubet e tyre, Nottingham Forest, përkatësisht Torino.
Ndeshjen e fundit në Angli, Muriqi e ka zhvilluar më 24 shtator të vitit të kaluar, kurse Ujkani, që nga dhjetori i vitit 2018, nuk ka pasur asnjë paraqitje. Kosovës aktualisht po i luan vetëm portieri i tretë, Visar Bekaj. Bekaj është te klubi Prishtina që garon për titull të kampionit dhe është në finale të Kupës së Kosovës. Në listën e lojtarëve që po vëzhgohen është edhe Betim Halimi, që paraqitet te Olimpik Donetsku i elitës së futbollit të Ukrainës.