Banorët në Porto-Riko kanë votuar për të qenë shtet në Shtetet e Bashkuara në referendumin joobligues, i cili është përshkruar me dalje të vogël për shkak të bojkotit nga ana e disa grupeve.
Rezultatet e referendumit të djeshëm tregojnë se 97.2% kanë votuar për shtetësi, 1.5% e kanë mbështetur pavarësinë, ndërsa 1.3% nuk kanë dëshiruar kurrfarë ndryshimi në statusin e këtij ishulli në Karaibe.
Megjithëqë më se 480 mijë votues janë përcaktuar për shtet, dalja në referendum ishte afro 23%, prej 2.2 milionë votuesve të regjistruar.
Kjo pjesëmarrje e ulët është pritur pas thirrjes nga partitë opozitare për ta bojkotuar referendumin, duke e quajtur atë “ngjarje të parëndësishme” dhe “cirk”, raporton REL.
Në përgjithësi, ata që kanë bojkotuar, nuk kanë mbështetur ndryshim të statusit ose pavarësi.
Pavarësisht nga kjo, guvernatori i Porto-Rikos, Ricardo Rossello, është angazhuar për lëvizje, që ky ishull të bëhet shteti i 51-të amerikan.
“Ne do të shkojmë para forumeve ndërkombëtare për ta mbrojtur argumentin e rëndësisë që Porto-Riko të jetë shteti i parë hispanik në Shtetet e Bashkuara”, tha Rosello.
Ky referendum koincidoi me 100 vjetorin, që Shtetet e Bashkuara u kanë garantuar shtetësi banorëve të këtij ishulli.
Megjithatë, këta banorë nuk lejohen të votojnë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe kanë përfaqësim të kufizuar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Përkundër referendumit, i takon Kongresit amerikan, që të bëjë çfarëdo vendimi lidhur me ndryshimin e statusit politik të këtij territori.