Pos Nismës, Shaqir Totaj mbështetet edhe nga AAK-ja dhe AKR-ja

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit Shaqir Totaj ka siguruar mbështetjen e Nismës, AAK-së dhe AKR-së për rundin e dytë të balotazhit.

Në një ceremoni zyrtare janë nënshkruar marrëveshjet e koalicionit ndërmjet Totajt, kryetarit të NISMA-s Zafir Berisha, kryetarit të degës së AAK-së Lulzim Kabashi dhe atij të AKR-së Afrim Tejeci.

“Duke respektuar vullnetin politik dhe demokratik të qytetarëve të komunës së Prizrenit, të shprehur në Zgjedhjet Lokale dhe vendosmërinë për formimin e institucioneve të reja komunale, demokratike, shumëetnike dhe gjithëpërfshirëse. Të vetëdijshëm për domosdoshmërinë që të punojmë bashkarisht për zhvillimin ekonomik të komunës tonë, sjelljen e investimeve të huaja, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e arsimit, të shëndetësisë, kulturës, rinisë, sportit, bujqësisë, blegtorisë, zhvillimin e turizmit dhe mbrojtjen e Qendrës Historike. Si dhe, të përkushtuar për ta vendosur interesin e qytetarëve para çdo agjende politike e partiake dhe në shërbim të avancimit të mirëqeverisjes, kemi arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me partitë NISMA dhe AAK në Prizren”, thuhet në tekstin e parimeve të marrëveshjes.

Totaj është shprehur i bindur se opozita e sotshme do të qeverisë gjatë katër viteve të ardhshme dhe, sipas tij, qytetarët me 14 nëntor do ta ndëshkojnë keqeverisjen dhe abuzimin.

Në rundin e parë të zgjedhjeve, më 17 tetor, kandidatët për kryetar Zafir Berisha, Lulzim Kabashi dhe Afrim Tejeci që sot kanë dale hapur në mbështetje të Shaqir Totajt kanë marrë në total rreth 7 mijë e 500 vota.

Të ngjashme