Serbia ka pranuar dërgesën e parë të vaksinës ruse, “Sputnik 5”, derisa zyrtarët serbë kanë bërë të ditur se me këtë vaksinë qytetarët do të vaksinohen prej janarit. Dozat janë vendosur në depot e ftohta të Institutit Serb të Virologjisë në kryeqytetin Beograd.
Zyrtari i lartë serb i Shëndetësisë, Mirsad Gjerlek, ka thënë se dërgesa përfshin 2.400 doza të “Sputnik 5”. Shteti ballkanas tashmë ka nisur vaksinimin me dozat e siguruara nga “Pfizer” dhe “BioNTech”, të cilat po përdoren në mbarë Bashkimin Evropian.
Zyrtarët vendas kanë njoftuar se Serbia do të importojë edhe vaksina kineze me qëllim që t’ua mundësojë qytetarëve vaksinimin sa më të shpejt kundër koronavirusit.
Ministri Zlatibor Lonçar ka thënë se pret të merret aprovimi për vaksinën ruse me qëllim që dozat t’u dërgohen sa më parë qendrave lokale të mjekësisë në ditët e ardhshme. Serbia vazhdon t’i ruajë marrëdhëniet e ngushta me Rusinë, pavarësisht se kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.