Në ditën e zgjedhjeve lokale, më 12 tetor 2025, në shkollën “7 Shtatori” në fshatin Vitomiricë të Pejës, dy zyrtarë policorë nuk ishin lejuar fillimisht të votojnë, nga komisioneri i qendrës së votimit, me arsyetimin se kishin me vete armët zyrtare. Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, policët H.Z., dhe J.Z., ishin në uniformë dhe kishin përfunduar ndërrimin e paradites kur janë drejtuar në qendër të votimit për të votuar.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, neni 84, pika 4, përcakton se asnjë person që mban armë nuk lejohet brenda vendvotimit, “përveç Policëve të Kosovës në detyrë që janë në uniformë”.
Rasti është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë. Sipas tyre, zyrtarët nuk kanë insistuar të votojnë me forcë, por kanë raportuar rastin sipas procedurave zyrtare.
“Më datë 12.10.2025, zyrtarët policorë pasi që kanë përfunduar detyrën ku ishin të angazhuar në ndërrimin e paraditës, janë drejtuar në qendrën e votimin për të votuar por nuk janë lejuar nga komisioneri me arsyetimin se nuk është e lejuar të votoni pasi me vete kanë armën zyrtare. Zyrtarët policorë nuk kanë insistuar të votonin, por kanë raportuar rastin tek mbikëqyrësi i tyre. Në formë të shkruar janë njoftuar menaxhmenti policor i DRP-Pejë dhe DPP-Prishtinë. Lidhur me rastin janë angazhuar hetuesit rajonal dhe në hollësi është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka konstatuar se nuk ka elemente të Veprës Penale”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë Rajonale të Policisë nё Pejë.
Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) përmes një përgjigjeje kanë thënë se pas “keqkuptimit të krijuar në vendvotim”, Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Pejë e ka sqaruar situatën brenda pak minutash dhe zyrtarët policorë “kanë realizuar votimin”.
Megjithatë, KQZ nuk është përgjigjur në pyetjet e “Betimi për Drejtësi” nëse është ndërmarrë ndonjë masë ndaj komisionerit apo nëse janë kontaktuar nga Policia ose Prokuroria për këtë rast.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se ka pranuar raportin informues nga Policia më 13 tetor, saktësisht nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, por nuk përmend nëse rasti është mbyllur.
“Prokurori kujdestar ka kërkuar nga Policia që të sigurohen raportet policore nga zyrtaret policor, të cilët kanë shkuar për të votuar, dhe të njëjtat raporte janë siguruar me datë 12.10.2025, nga zyrtarët H. Z dhe J.Z. Prokurori i rastit ka autorizuar Policinë për intervistimin e Kryesuesit të Qendrës së votimit nr. 1710, dhe atë në shkollën fillore “7 Shtatori”, në fshatin Vitomericë K. Pejë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Pejë për “Betimi për Drejtësi”.
Për këtë çështje, “Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë një qëndrim nga kryesuesja e Komisionit Komunal Zgjedhor në Pejë, Zana Zeka, por e njëjta nuk ka pranuar të flasë për rastin.