Posta e Kosovës ka pranuar sot nga Posta Turke një donacion prej 10 motoçikletave, në vlerë 18 mijë dollarë.
Me ketë rast është organizuar një ceremoni në të cilën kanë marrë pjesë një delegacion i Postës Turke i udhëhequr nga zëvendësdrejtori Osman Çetinkaya, ambasadorja turke Kivilcim Kiliç, zëvendësministri i MZHE-së Usmen Baldzi si dhe zyrtarë tjerë nga të dy administratat postare.
Sejdi Hoxha, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, falënderoi Postën Turke për donacionin.
Hoxha tha se Posta ka pasur gjithmonë prioritet përmirësimin e shërbimeve postare, raporton Ekonomia Online.
“Për mua është një nder i madh që po pranojmë një donacion prej 10 motoçikletash dhe dua që në emër të Postës të falënderoj Postën Turke për këtë donacion qe do të përmirësojë shërbimet postare”.
“Bashkëpunimi më Postën Turke nuk fillon e as nuk mbaron këtu. Posta e Turqisë na ka ndihmuar shumë edhe në internacionalizimin e Postës së Kosovës”, tha Hoxha.
Në fjalimin e tij, donatori përkatësisht zëvendësdrejtori i PTT-së, Osman Çetinkaya falenderoi popullin e Kosovës dhe postën për mikëpritjen.
Ai tha se Posta Turke ka kryesimin e postës ndërkombëtare prandaj janë të gatshëm ta ndihmojnë Kosovën në këtë drejtim.
Zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Usmen Baldzi, u shpreh i kënaqur për këtë donacion dhe uroi për bashkëpunim e dy postave shtetërore.
Ai tha se në të ardhmen pret që edhe Kosova të jetë dhuruese, pas zhvillimit dhe rritjes.
Gjithashtu për donacionin foli edhe Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliç.
“Ndjehem e lumtur që jam e pranishme në një bashkëpunim mes dy vendesh mike dhe uroj që realizimi i këtij projekti të jetë në dobi të popullit të Kosovës”, u shpreh ajo.
Kilkiç tha se Turqia vazhdimisht e ndihmon Kosovën, dhe jo vetëm në këtë fushë, raporton EO.
“Turqia është vendi i tretë si investitori më i madh ne Kosovë. I vetmi qëllim është që populli I Kosovës të ketë një të ardhme më të ndritshme. Si tani do të vazhdojmë edhe më tutje ta ndihmojmë këtë vend mik”.