Posta e Serbisë thotë se janë ndaluar dërgesat postare për veriun e Kosovës

Prishtinë | 06 Gus 2024 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Posta e Serbisë ka njoftuar se Policia e Kosovës ka ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, dërgesat postare që po transportoheshin përmes një furgoni të linjës së rregullt mes Rashkës në Serbi dhe Graçanicës në Kosovë.

Posta e Serbisë tha se dërgesa postare e ndaluar, përfshinte letra. Qytetarët e Serbisë mund të dëgojnë përmes postës dokumente të ndryshme, sikurse ato gjyqësore.

Ky pretendim i autoriteteve serbe vjen një ditë pasi në Kosovë u mbyllën nëntë degë të Postës Serbe, pasi autoritetet thanë se ato po vepronin pa licencë.

Posta e Serbisë bëri thirrje për zgjidhjen e kësaj situate, uljen e menjëhershëm të tensioneve dhe që të mundësohet funksionimi pa pengesa i transportit postar në veri të Kosovës.

“Shumë qytetarë dhe kryesisht të moshuar mbështeten në shërbimet tona për transaksionet e përditshme dhe për këmbimet afariste. Veprimi i sotëm i ndalimit të dhunshëm të dërgimit të letrave, ndër të tjera, vështirëson kontaktin mes familjeve, gjë që rrit edhe më tej ndjenjën e pasigurisë në kontekstin e tensioneve etnike”, tha Posta e Serbisë./rel.

Të ngjashme