29 vjeçari Leotrim Latifi, i konsideruar prej vitesh si një prej personave më të rrezikshëm në Kosovë, i njohur për përfshirje në një mori grabitjesh të armatosura në Kosovë është arrestuar sot si i dyshuari kryesor për grabitjen e armatosur në një argjendari në Prizren ku mbetën të plagosur babë e bir, pronarë të këtij biznesi.
Gazeta Online Reporteri.net nga burimet e veta brenda Policisë së Kosovës ka mësuar se ra në pranga Latifi, pasi u identifikua si i dyshuar për përfshirjen në grabitjen e së hënës në Prizren.
Burimet kanë treguar se 29 vjeçari ia pa sherrin një ‘story’ të postuar në rrjetin social Instagram nga e dashura e tij, emër i njohur për redaksinë.
E dashura, e Leotrimit ka postuar një story në Instagram nga një villë në Batallavë në të cilën shihej edhe vetura e të dyshuarit. Kjo u bë shkak që forcat e Policisë ta kapin pikërisht deri sa ndodhej në vilë me të dashurën, një prej grabitësve më të rrezikshëm në Kosovë.
Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për kapjen e Latifi u krye në ora 6 të mëngjesit të ditës së sotme.
Pos tij Policia ka arrestuar edhe të dyshuarin tjetër, Ibrahim Qadraku dhe një person të tretë i cili nuk është identifikuar ende.
29 vjeçari, Leotrim Latifi konsiderohet një nga personat më të rrezikshëm në Kosovë, i cili një kohë të gjatë ishte në arrati. E kur u kap nga policia, ndonëse recidivist, ai këtë vit u lirua nga paraburgimi.
Ai në vitin 2018 ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi ishte i përfshirë në hiq më pak se 18 raste të grabitjeve me armë.
Në vitin 2019, Latifi ishte arrestuar në Mal të Zi dhe ishte ekstraduar për në Kosovë ku dhe do të duhej të përballej me drejtësinë. Por, kishte ndodhë e kundërta. Pasi ai u lirua nga paraburgimi, e u bë pjesë e një grabitje tjetër të rrezikshme, e që për pasojë pati edhe dy viktima të plagosur.
Për gjatë kohës sa ndodhej në arrati Latifi, disa herë ishte paraqitur drejtpërdrejt në rrjetin social “Facebook” duke u tallur me Policinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Policia tha se tre personat e prangosur për tentim-grabitjen në argjendarinë në Prizren janë nga rajoni i Prishtinës dhe se kanë të kaluar kriminale.
Cak i grabitjeve të armatosura të Latifit bashkë me një grup bashkëpunëtorësh tjerë, Prokuroria e Shtetit pretendonte se kanë qenë : “Teb Banka”, “Kep Banka”, “NLB Banka”, “Slovenia Petrol”, “Hib Petrol”, “Star Club”, “Star Kazino”, “Cazino Star”, “Albi Mall”, kazino “ACT”, bastore “ACT”, kazino “Eurogame”, kazino “Las Vegas”, “IP Petrol”, kazino “Kojota”, lokali “Apex Club”, “Lloto Sport”, si dhe motel “Flamingo”.
I njohur për grabitje të armatosura është edhe i arrestuari tjetër Ibrahim Qadraku. Ai ka qenë i akuzuar për dy grabitje të rënda në hotelin “Swiss Diamond”, dhe për grabitjen e një në filiali të bankës “TEB” në Prishtinë.
Grabitja në hotelin në qendër të kryeqytetit, në të cilën përveç Qadrakut, ishin të përfshirë edhe nëntë persona të tjerë, sipas aktakuzës kishte ndodhur më 28 maj të vitit 2014 rreth orës 03:50. Kurse në bankën “TEB”, grabitja kishte ndodhur më 1 qershor të po të njëjtit vit.
Grabitësit, sipas aktakuzës, në hotelin “Swiss Diamond” kishin marrë stoli të çmueshme në vlerë prej 199.530.00 euro, ndërsa në bankën “TEB” grabitën 39.930 euro.
Për grabitjen në “TEB” në qershor të vitit 2014, ai ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Përveç dënimit me burg, i akuzuari Ibrahim Qadraku së bashku me tre të akuzuar të tjerë, kanë pasur t’i kompensojnë dëmin bankës “TEB” në shumën prej 39.930 eurosh.
Edhe Policia e Kosovës sot ka folur për të kaluarën kriminale të dy të dyshuarve dhe lidhjen e tyre me grabitje tjera të armatosura.
“Tre të dyshuarit janë nga rajoni i Prishtinës, të cilët në bazën e të dhënave kanë të kaluar kriminale madje edhe në fushën e grabitjes, përdorimit të armëve. Kanë qenë në burg, janë me procedente kriminale dhe tani po i zbardhim edhe motivet e tyre për këtë rast”, tha drejtori i policisë së Prizrenit në konferencë.
Njëri nga të dyshuarit është arrestuar mbrëmë ndërsa dy të tjerët janë arrestuar sot. Për të njëjtit është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, në konferencë tha se nga nata kur ka ndodhur tentim-grabitja, policia është angazhuar maksimalisht për identifikimin e të dyshuarve.
Si ndodhi grabitja e së hënës mbrëma në argjendarinë në Prizren?
Pasditen e së hënës, tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një argjendari në Prizren, ku kanë tentuar të grabisin stoli ari.
Të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të pronarit te argjendarisë dhe djalit të tij, të cilët kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave.
Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes me një veturë.
Ndërsa, në konferencën e mbajtur sot, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, tha se hajnat kanë hasur në rezistencë të pronarëve dhe gjatë arratisjes kanë lënë veturën me të cilën kanë ardhë dhe me forcë kanë arritur të marrin një veturë në qarkullim.
“Të dyshuarit gjatë arratisjes kanë arritur që ta lëjnë veturën e tyre për arsye të panjohura dhe ta ndalin një veturë, e cila ishte në qarkullim në ato momente, me forcë e detyrojnë shoferin e automjetit që të largohet. Të njëjtin automjet e marrin dhe shkojnë në drejtim të lagjes Jagllenicë, ku shkojnë deri të një pompë e benzinës, marrin benzinë dhe kthehen e kallin veturën me të cilën kishin ardhur në Prizren”, tha kryeprokurori Shala.