Potera për rezultatet e PISA-s: Shumë pak është bërë për përmirësimin e arsimit

Prishtinë | 08 Sht 2026 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i arsimit, Ismet Potera, ka vlerësuar se rezultatet e Kosovës në PISA 2025 tregojnë se ndër vite është bërë shumë pak për përmirësimin e gjendjes në arsim, duke thënë se performanca e nxënësve reflekton mungesën e seriozitetit dhe të veprimeve konkrete pas rezultateve të vlerësimeve të mëparshme, raporton Ekonomia Online.

Potera tha se nuk ka pritur ndonjë përmirësim të madh në rezultatet e fundit, por kishte pritur një performancë disi më të mirë krahasuar me vlerësimet e mëparshme.

“Të vërtetën, nuk kam prit ndonjë mrekulli, po kam prit pak ma mirë ndoshta meqenëse sa herën e kaluar. Po megjithatë, kjo po tregon se gjendja në të vërtetë edhe shoqërore, edhe arsimore edhe krejt ku jemi, po tregon as më shumë as më pak. Kështu që vetë fakti që prej PISA-s së parë e deri më tani shumë pak është bërë në të mirë të përmirësimit të kësaj gjendjeje, ky është rezultati që po na tregon se sa kemi qenë seriozë, sa kemi qenë të brengosur për rezultatet e PISA-s që i kemi marrë që nga e para e deri më tash. Kështu që kjo është gjendja”, tha ai.

Sipas tij, rezultatet janë pasojë e një zinxhiri faktorësh, ndërsa ndër çështjet që duhet të analizohen është edhe vijueshmëria e nxënësve në shkollë.

“Po, është zinxhir faktorësh. Për shembull, vetëm nëse e përmendim elementin që nxënësit tanë bëjnë mungesa më së shumti nga shkollat të cilat janë pjesëmarrëse në testin PISA, domethënë tregon se sa seriozë jemi ne, sa e marrim seriozisht këtë çështjen e mësimit. Nuk do të thotë që kjo ka munguar një ditë me arsye, ose edhe ajo reflekton në nivelin edhe cilësinë e njohurive”, tha ai.

Potera tha se në vlerësimet e kaluara janë ngritur shqetësime edhe për procedurat e organizimit të testimit, por sipas tij, rezultatet e fundit tregojnë se problemi nuk qëndron vetëm te ky aspekt.

“Kështu që, një e dyta, edhe pse në PISA-t e kaluara kanë dalë disa tregues që, për shembull, nuk kanë qenë të mirë, së pari janë ankuar në procedurat e organizimit, procesit të testimit të PISA-s, edhe Ministria, me sa di unë, ka marrë disa hapa për përmirësim të procedurave atje, me u marrë më seriozisht, domethënë, për nxënësit me qenë më seriozë, për administruesit më seriozë. Megjithatë, testi ka treguar që nuk paska qenë ky faktori i rëndësishëm, po paska diçka tjetër”, tha ai.

Ai tha se ndër faktorët që duhet të shqyrtohen janë mënyra e mësimdhënies dhe programet mësimore, duke kërkuar analiza dhe studime të detajuara nga institucionet përgjegjëse.

“Ajo diçka tjetër mund të jetë, për shembull, ose çështja e mësimdhënies, ose çështja e programeve mësimore që ndoshta janë të vjetruara, ndoshta duhet ndryshuar. Po, për të gjitha këto duhet me bë studime, me bë analiza në fillim, sidomos Ministria e Arsimit, pastaj shkollat, komunat, institucionet e tjera”, tha Potera.

Njohësi i arsimit tha se nuk ka dëgjuar për hapa konkretë që janë ndërmarrë për përmirësimin e gjendjes, duke theksuar se rezultatet e vlerësimeve të mëparshme duhet të shërbejnë si bazë për strategjitë e ardhshme në arsim.

“Po, unë nuk kam dëgjuar që është ndërmarrë ndonjë hap konkret për përmirësim të kësaj gjendjeje. Unë e di që tash është në proces, për shembull, hartimi i Strategjisë së Arsimit 2026-2030, nuk e di çfarë është paraparë aty, nuk jam pjesë e asaj strategjie, po nëse edhe aty nuk është përfshirë diçka bazuar në të dhënat nga PISA-t e kaluara për të përmirësuar, atëherë s’kemi bërë kurrgjë. Domethënë, do të vendnumërojmë prapë edhe në PISA-t e ardhshme”, tha ai.

Në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025 morën pjesë gjithsej 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës.

Në shkencë, nxënësit e Kosovës kanë shënuar mesatarisht 357 pikë, rezultat i njëjtë me atë të vitit 2022. Në lexim, rezultati ka qenë 340 pikë, dy pikë më i ulët krahasuar me vitin 2022, kur ishte 342 pikë.

Rënia më e dukshme është regjistruar në matematikë, ku nxënësit kanë arritur mesatarisht 350 pikë, pesë pikë më pak se në vitin 2022.

Ndërkaq, rezultati më i lartë në katër treguesit kryesorë të performancës është shënuar në fushën e zgjidhjeve kompjuterike, me gjithsej 359 pikë.

Të dhënat e PISA 2025 tregojnë gjithashtu dallime gjinore, me vajzat që kanë performuar më mirë se djemtë në të tri fushat e vlerësuara.

Në shkencë, vajzat kanë shënuar 366 pikë, ndërsa djemtë 347 pikë. Në lexim, vajzat kanë arritur 358 pikë, ndërsa djemtë 322 pikë. Në matematikë, rezultatet kanë qenë pothuajse të barabarta, me 351 pikë për vajzat dhe 350 pikë për djemtë.

Një nga sfidat kryesore mbetet numri i ulët i nxënësve që arrijnë të paktën Nivelin 2 të aftësive, që konsiderohet niveli bazë i performancës.

Në vitin 2025, vetëm rreth 21 për qind e nxënësve në Kosovë kanë arritur këtë nivel në shkencë, rreth 15 për qind në matematikë dhe rreth 16 për qind në lexim.

Vijueshmëria në shkollë është një tjetër çështje që del në pah nga rezultatet. Rreth 54 për qind e nxënësve kanë raportuar se kanë munguar të paktën një ditë gjatë dy javëve para testit, ndërsa 56 për qind kanë deklaruar se kanë munguar të paktën në një orë mësimore.

Në bazë të gjetjeve të PISA 2025, rekomandohet forcimi i të nxënit bazë në matematikë, shkencë dhe lexim, zhvillimi i mësimdhënies përmes zgjidhjes së problemeve dhe situatave reale, forcimi i mendimit kritik dhe aplikimit praktik të njohurive, si dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve.

Po ashtu, rekomandohet përdorimi më efektiv i teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në procesin mësimor, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet shkollës dhe familjes, përmirësimi i klimës së të nxënit dhe monitorimi më i mirë i vijueshmërisë së nxënësve.

Të ngjashme