Në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës ka përfunduar takimi pa marrëveshje për një deklaratë të përbashkët për liberalizimin e vizave dhe ndikimin e procesit demarkacionin me Malin e Zi, sikur dhe marrëdhëniet me këtë shtet.
Në fund të këtij takimi pa marrëveshja ka mbetur që Kryesisë së Kuvendit t’i dërgohet një draft-deklaratë e tri draft-propozimeve nga partitë opozitare, që të përfshihet në deklaratën përfundimtare. Kjo letër është menduar që të shkojë në drejtim të organizmave të lartë të Bashkimit Evropian.
Shefat e Grupeve Parlamentare kanë provuar nga fillimi i kësaj jave që të përafrojnë qëndrimet duke dashur të dalin me një deklaratë të përbashkët, e cila në formë të një letre do tu dërgohej organizmave më të lartë në Evropë me porosi për dhe rreth çështjes së Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.
Arsye kryesore ishte çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Me një letër që sot iu ofrua anëtarëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, përfaqësuesit e partive në pushtet kërkuan që të pranohet edhe nga partitë e opozitës, dhe si e tillë t’u dërgohet personave dhe institucioneve që duhet adresuar.
Ismet Beqiri, nga LDK, tha se një deklaratë e tillë duhet të kuptohet si një qëndrim vullnet mirë. “…Tentimi nga cilado anë që të futet tjetër gjë në deklaratë, nuk ka kuptim, sepse ne kemi bërë të qartë qëndrimin e pozitës por edhe të opozitës. Mund të ketë dallime por mund të harmonizohen marrëveshjet mes pozitës dhe opozitës”, tha Beqiri.
Megjithatë, tri partitë opozitare kërkuan që të ndryshohet përmbajtja e kësaj letre, dhe si kundërpërgjigje ata u ofruan një letër tjetër me disa pika të plotësuara.
Aida Dërguti, nga Vetëvendosje, tha se Qeveria nuk do të duhet t’i frikësohej një procesi të ri për verifikimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
“Nëse ata janë të sigurt se gjithçka është në rregull, mos të frikësohem le ta kthejnë procesin në zero”, tha Dërguti.
Ndërkohë, Pal Lekaj i AAK-së, tha se “ne si deputet jemi të gjithë interesuar që qytetari ynë të lëviz lirshëm, por prapë si deputetë ne kemi dallime për çështjen e demarkacionin që është përkufizuar si një e padrejtë që është duke ju bërë qytetarëve dhe ne nuk lëvizim asnjë centimetër nga qëndrimet tona”.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit, Elmi Reçica, që është pjesë e PDK-së, tha se përmes kësaj deklarate krejt çfarë po kërkohet është të tregohet se po përpiqemi që t’i hapim rrugë procesit të lëvizjes së lirë, varësisht se a kalon marrëveshja e demarkacionit a po jo.