Forumi për Transparencë Parlamentare, me mbështetjen e NDI-së, ka organizuar takimin me temën “Pandemia Covid-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë”, që organizohet në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”, raporton Ekonomia Online.
Kryetare e Komisionit për Shëndetësi Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, u shpreh e bindur se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% e qytetarëve.
Sipas saj, i gjithë procesi i vaksinimit është duke shkuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë nga institucionet përgjegjëse.
“Tashmë vaksinimi ka hyrë në ato rrjedha normale. Tani duke qenë se jo vetëm që kemi marrë vaksina nga donacione tani MSh ka nënshkruar kontratë me Pfizer për të marrë vaksina. Tashmë edhe ekipet e vaksinimit janë të konsoliduar. Ende nuk është e detyrueshme vaksina megjithatë duhet të punojmë shumë për edukimin e qytetarëve”.
“Aktualisht e kemi një situatë të qetë. Por përgjigja definitive është vaksina. Është e sigurt është që synimi që është përcaktuar nga Qeveria e Kosovës që 60 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të vitit, do të realizohet”.
Kurse deputeti i PDK- Bekim Haxhiu theksoi se Qeveria ka dështuar në sigurimin e vaksinave, duke shtuar se kontrata po mbahet sekrete.
“Kosova është vendi i fundit që ka siguruar një kontratë për furnizim me vaksina që po mbahet sekret nga Qeveria e Kosovës. Deri më tani vaksinat janë donacione. Nëse një produkt importohet në Kosovë e ka afatin e skadimit më pak s enjë vit. Vaksinat që janë pranuar, afati i disa prej tyre u skadon në qershor e korrik. Ka mospërputhje sa i përket vaksinimit ditor”.
“Jemi vendi i vetëm që fillon vaksinimin mbi moshën 18 vjeçare. Kjo është për të justifikuar vaksinimi e qytetarëve dhe familjarëve të tyre. Qeveria ka dështuar të bëjë vaksinim edhe në komunat veriore të Kosovës”.
Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se është e pamundur që të vaksinohet 60% e popullatës deri në fund të vitit me këtë trend të vaksinimit, raporton EO
“Se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% deri në fund të vitit është i vonshëm. 93 mijë vaksina nuk e ka arritur as 10%. Frika nga varianti Delta është i pashmangshëm dhe qytetarët duhet të vaksinohen. Përndryshe do të vazhdojë kjo pasiguri. Frika që vjeshta të sjellë rritje të rasteve është i paparashikueshëm”.
Deputeti i AAK- Pal lekaj tha se i gjithë procesi i vaksinimit të qytetarëve po përcillet me shumë parregullsi, duke shtuar se ky është komplet terr informativ.
“Qeveria Kurti ka dështuar. Qasja që të koncentrohet popullata në qendra të mëdha është gabim. Nuk di që ka pasur sensibilizim për moshat që kanë kërkuar të vaksinohen. Ne kemi pritur që të fillojmë vaksinimin si shtet. Mirëpo qasja e Qeverisë Kurti ka qenë e gabuar. Në vend që me marr me trajtuar kontratën me nënshkruar, por jo në këtë qasje. Komplet është terr informativ “.