Pozitë e opozitë e vlerësojnë Kuvendin si transparent e llogaridhënës, ndryshe mendon KDI-ja

Prishtinë | 23 Dhj 2024 | 12:04 | Nga Hasan Hoti

Kuvendi i Kosovës po konsiderohet si institucioni më transparent dhe llogaridhënës në Republikën e Kosovës, ndonëse shoqëria civile po e mendon të kundërtën, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën përmbyllëse me temën “Transparenca Parlamentare”, u përmenden arritjet e deritanishme dhe prioritetet për të ardhmen.

Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, kryesuese e Forumit për Transparencë Parlamentare, vlerësoi se Kuvendi i Kosovës është institucioni më transparentë.

Ajo ka deklaruar se “është bërë një punë të jashtëzakonshme pikërisht për ta bërë Kuvendin siç është sot”. 

“Nuk dua të ndalem dhe të flas specifikisht për aktivitetet tona sepse janë shumë, por vetëm dua të them që është bërë një punë e jashtëzakonshme për ta bërë Kuvendin siç është sot. Tani nuk jemi të kënaqur sepse ka ende punë për të bërë por megjithatë situata në të cilën e gjejmë vetën sot është krejt ndryshe siç ka qenë para katër vitesh dhe dua t’i falënderoj secilin anëtarë të Forumit për punën që kanë bërë për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien e Kuvendit dhe falë kësaj pune, Kuvendi sot është institucioni më transparent dhe llogaridhënës në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe më transparenti ndër Kuvendet në rajon”, tha ajo.

Driton Selmanaj, anëtar i këtij forumi, tha se arritjet e deritanishme janë falë edhe punës së legjislaturave të kaluara.

“Ka kohë që jam pjesë e kësaj strukture dhe ndjehem mirë që Kuvendi është storie suksesi dhe nuk është vetëm punë e kësaj legjislature por edhe ato të kaluarës. Normalisht që kjo nuk do bëhej pa një ndihmë të jashtëzakonshme të NDI-së”, tha Selmanaj.

Mirëpo, Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) pati kritika në atë se çfarë mund të bëjë Kuvendi më shumë për t’u përmirësuar në transparencë.

“Seancat e kuvendit është pozitive që transmetohen live në televizionin publik. Por kur te vije fjala te komisionet ajo varet nga vullneti dhe jo gjithmonë munden me u pa live nga  publiku. Nëse flasim për kodin e sjelljes për deputetët ky është përfunduar megjithatë mbeten edhe disa elemente që pamundësuan miratimin e plotë të tij në Kuvend. Mbetet kërkesë që të miratohet në legjislaturën tjetër”, është shprehur Haxholli.

“Padyshim që Kuvendi ka shënuar hapa të suksesshëm drejt transparencës, vet fakti që Kosova vitin e kaluar është bërë anëtare e Partneritetit për Qeverisje të Hapur tregon për suksesin e arritur deri më tani. Megjithatë ne si anëtarë kemi ato kritikat tona se çfarë mund të bëjë Kuvendi më shumë për t’u përmirësuar më shumë në transparencë”, tha Haxholli.

Të ngjashme