PRAK: Sigurimet shëndetësore, e vetmja rrugë për rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor

Prishtinë | 18 Dhj 2017 | 11:56 | Nga

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka reaguar lidhur me siç thonë nivelin e ngathët të përgatitjeve që janë duke u bërë për implementimin e skemës së sigurimeve shëndetësore.

Shoqata thekson se përgatitjet që janë duke u bërë, janë shumë larg një fillimi të suksesshëm të tij.

Lexoni më poshtë deklaratën e plotë të Shoqatës së të drejtave të pacientëve lidhur me çështjen e sigurimit shëndetësor:

“Ne organizatat e poshtë – shënuara, shprehim shqetësimin tonë të thellë me nivelin e ngathët të përgatitjeve që janë duke u bërë për implementimin e skemës së Sigurimeve Shëndetësore. Ligji për Sigurime Shëndetësore i Kosovës ka hyrë në fuqi në vitin 2014, dhe që nga atëherë ende nuk është implementuar. Për më keq, përgatitjet që janë duke u bërë, janë shumë larg një fillimi të suksesshëm të tij.

Mos implementimi i këtij ligji, e ka sjellë shëndetësinë para një sfide të madhe të qëndrueshmërisë së saj. Qytetari ynë po vdes dhjetë vite më herët se qytetari evropian. Foshnjat tona vdesin trefish më shumë se ato në Evropë. Ka mungesë kuadri dhe ka mjek të papunë. Ka nënfinancim të theksuar dhe menaxhim joadekuat të buxhetit. Buxheti i Kosovës për shëndetësi është rreth pesëfish më i ulët se sa në vendet e rajonit. Në kërkim të shërimit, rreth njëqind milion euro në vit qytetarët i shpenzojnë jashtë vendit.

Duke e ditur se:

  • Sigurimet shëndetësore janë një e drejtë themelore e qytetarëve;
  • Për implementimin e tyre duhet angazhim i madh multidimensional dhe ndërministrorë;
  • Sigurimet janë e vetmja rrugë që mundëson rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor;

Duke shprehur gatishmërinë që:

Ne si shoqëri civile të ofrojmë tërë potencialin tonë në dispozicion për të ndihmuar implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore në mënyrë sa më të lehtë dhe sa më transparente ndaj publikut;

Ne si organizata të shoqërisë civile kërkojmë nga Qeveria:

  • Shëndetësinë në përgjithësi dhe Sigurimet Shëndetësore në veçanti, t’i vë në prioritet të programit qeverisës; – Të gjithë resorët qeveritarë janë të rëndësishëm për jetën e qytetarëve por pa shëndet, të gjitha e humbin kuptimin.
  • Të angazhojë të gjitha dikasteret përkatëse qeveritare për përshpejtimin e përgatitjeve të këtij procesi;- Sigurimet shëndetësore janë çështje ndërsektoriale (madje nacionale) dhe si të tilla, një ministri e vetme, vështirë mund t’i shtyjë proceset përpara.
  • Të ketë një plan të qartë të implementimit të skemës së sigurimeve shëndetësore, me të cilin do të jetë i informuar edhe publiku; – Një paqartësi dhe jotransparencë e këtillë ndaj publikut, mund t’i deformojë pritjet e qytetarëve dhe të sjell pasoja serioze për suksesin e implementimit të sigurimeve.
  • Të fillohet me blerje të shërbimeve (jo me mbledhje të premiumeve), jo më vonë se data 01.01.2019 – Prekja e fryteve të përfitimit, do ta rriste besueshmërinë në sigurime gjë që është jetike për të ardhmen e Fondit. Në të kundërtën, në një nivel të ulët të besueshmërisë, të fillohet me mbledhje të premiumeve, kjo do të konsiderohet si një taksë shtesë dhe asgjë më shumë, gjë që pasojat do të jenë të rënda për Fondin.

Jemi të vetëdijshëm që Ju keni edhe shumë obligime të tjera shtetërore. Por, këto kërkesa, nuk janë kërkesa se ne i duam. Këto janë nevoja të domosdoshme që sistemi shëndetësor të marr një kahe të mbarë. Në të kundërtën, një vend që të zhytë në varfëri vetëm se t’i kërkon shërim aty, ai vend bëhet i pajetueshëm”. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme