Pranojnë fajësinë dy të pandehurit së bashku me ish-drejtorin e Marketingut në Telekom

Prishtinë | 05 Nën 2024 | 16:29 | Nga Ekonomia Online

Të pandehurit, Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni kanë pranuar fajësinë në rastin ku bashkë me ish-drejtorit të Marketingut në Telekom, Trim Musliun dhe katër të tjerë po akuzohen për korrupsion e vepra tjera penale.

Në shqyrtimin e sotëm fillestar, të akuzuarit Ceman dhe Hyseni kanë bërë marrëveshje për pranim të fajësisë e cila u pranua nga ana e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, prokurori special Rafet Halimi, propozoi që të njëjtëve shqiptimi i dënimit dhe lartësia e dënimit t’ju shqiptohet në fund të procedurës, në mënyrë që gjykata të vlerësojë sa më mirë kontributin e tyre si dëshmitarë bashkëpunues.

Lidhur më këtë, gjyqtari Arben Hoti nxori aktvendim më të cilën pezullojë procedurën ndaj Ceman dhe Hysenit, për të vazhduar me të pandehurit e tjerë të cilët gjatë kësaj faze u deklaruan të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 26 qershor 2024 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuar për këtë rast janë: Trim Musliu, Armend Osaj, Denis Ceman, Kreshnik Musliu, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi dhe Gazmend Hyseni.

Në dispozitivin e parë të aktakuzës thuhet se Trim Musliu nga data 21 janar 2019 e deri më 24 prill 2019 në cilësi të drejtorit Marketigu në Telekomin e Kosovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm përvetëson pasurinë të Telekomit të Kosovës, konkretisht duke lidhur kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me 239 telefona mobil, ku 153 prej tyre i përvetëson për vete, ndërkaq në furnizimin e dytë prej 16 telefonave mobil përvetëson 11 prej tyre duke përvetësuar në total 163 telefona mobil në vlerën prej 164 mijë e 847 euro e 83 centë.

Për këto veprime, Musliu po ngarkohet për veprën penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 425, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

Tutje, në dispozitivin të dytë të aktakuzës thuhet se i akuzuari Armend Osaj më 3 shtator 2019 e deri më 30 shtator 2019 në cilësi të drejtorit të Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm përvetëson pasurinë të Telekomit të Kosovës, konkretisht duke lidhur kontratë me “Zone Mobile” për furnizim me telefona mobil, USB, modema në vlerën e 207 mijë e 733 euro e 10 centë, e që në total pranon 305 telefona e duke përvetësuar për vetë në total 48 telefona mobil në vlerën prej 32 mijë e 692 euro e 32 centë.

Për këto veprime, i akuzuari Osaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë” nga neni 418, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

Ndërkaq, dispozitivi i tretë i aktakuzës ngarkon Trim Musliun, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman, ku thuhet se të njëjtit si anëtarë të grupit nga 1 nëntori 2020 e deri më 31 dhjetor 202 në bashkëkryerje përpilojnë dokumentacion të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të atij si origjinal.

Aty thuhet se i akuzuari Trim Musliu me të kuptuar se është duke u hetuar kërkon nga vëllai i tij Kreshniku që të përpilojë dokumentacion të falsifikuar, ku Kreshniku së bashku me të akuzuarin tjetër Denis shkojnë në Pejë dhe Istog duke prezantuar me logo të “Valës” te bizneset e ndryshme dhe i ftojnë të aplikojnë për përfitim të telefonave mobil, me ç’rast të akuzuarit Kreshnik dhe Denis vulosin ofertat me vula të bizneseve dhe të njëjtat i dorëzojnë te i akuzuari tjetër Trim Musliu.

Me të njëjtën formë, thuhet se veprojnë edhe me persona tjerë, mirëpo asnjëri nga qytetarët nuk pranojnë asnjë telefon mobil, me ç’rast dokumentacionin e vulosur me vulë të bizneseve Musliu e dorëzon në Postë Telekom dhe Policisë së Kosovë, me të vetmin qëllim që të ikë nga përgjegjësia penale.

Prandaj, për këto veprime Trim dhe Kreshnik Musliu, si dhe Denis Ceman po ngarkohen me veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Tutje, në dispozitivin e katër të aktakuzës ngarkohet Armend Osaj, se nga 1 nëntori 2020 e deri më 31 dhjetor 2020 kishte përpiluar dokumentacion të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të dokumentit origjinal pasi që kupton se ishte duke u hetuar për përvetësim të 48 telefonave mobil, dhe me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale kishte përpiluar dokumentacione kinse telefonat mobil janë pranuar nga individë.

Për këto veprime, Osaj po ngarkohet me veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.

Ndërsa, në dispozitivin e pestë të aktakuzës ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi, të cilët nga data 21 janar 2019 e deri më 6 mars 2019 si pronarë të “Zone Mobile”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore paraqesin fakte të rreme dhe me vetëdije shkelin kushtet e përcaktuara në kontratë, ashtu që kishin liferuar mallra në kundërshtim me specifikat e paraqitura si në kontratë për furnizim dhe liferuar telefonat pa origjinë dhe duke mos ofruar dëshmi për prejardhjen e mallrave pasi që sipas aktakuzës “Zone Mobile” nuk ka bërë blerje të brendshme dhe nuk ka importe nga shtetet tjera, e duke mashtruar kështu Telekomin e Kosovë se kanë kryer furnizimin me mallra në vlerën prej 229 mijë e 715 euro e 50 centë.

Me këtë veprime, Limani dhe Ajvazi po ngarkohen për kryerjen e veprën penale “Mashtrim” nga neni 335, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e gjashtë, sërish ngarkohen Alban Limani dhe Fatbardh Ajvzai pasi që nga data 2 shtator 2019 e deri më 18 shtator 2019 si pronarë të “Zone Mobile”, Limani dhe menaxher Ajvazi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm me rastin e lidhjes së kontratës për furnizim me pajisje: telefona mobil, usb, modema, me vetëdije kishin shkelur rregullat e prokurimit publik duke liferuar mallra në kundërshtim me specifikat e paraqitura si në kontratën e lidhur me Telekomin e Kosovës.

Limani dhe Ajvazi po ngarkohen edhe për veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 3 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e shtatë, thuhet se të akuzuarit Limani dhe Ajvazi gjatë muajit prill 2021 si pronarë të “Zone Mobile”, duke paraqitur fakte të rreme kryejnë mashtrim kundrejt Telekomit të Kosovës për kontratën lidhur me furnizimin me pajise, telefona, usb, modema, me ç’rast me të kuptuar se janë duke u hetuar, në marrëveshje me të akuzuarin Gazmend Hyseni përpilojnë dokumentacion të falsifikuar ku Hyseni lëshon fatura të rrejshme dhe se të njëjtat fatura Limani dhe Ajvazi i dorëzojnë në Administratën Tatimore të Kosovës, duke dëmtuar buxhetin e shtetit kështu në vlerën prej 68 mijë e 219 euro e 86 centë.

Për këto veprime, Limani dhe Ajvazi po ngarkohen edhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 307, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Dhe në fund, dispozitivi i tetë i aktakuzës ngarkon Gazmend Hyseni se gjatë muajit prill si pronar i biznesit “Versacoop” dhe “Kopex” me qëllim të përfitimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore lëshon dokument të rrejshëm për biznesin “Zone Mobile”, duke mashtruar kështu Telekomin e Kosovës për kontratën me furnizime me telefona mobil, usb, modema, e të cilat dokumente si fatura Limani dhe Ajvazi i dorëzojnë në ATK.

Për këto veprime, Hyseni po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin” nga neni 308, paragrafi 2 dhe 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Të ngjashme